Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski i ka ofruar në një takim të mërkurën drejtuesit opozitar, Hristijan Mickovski që VMRO-DPMNE-ja të bëhet pjesë e qeverisë, me kusht që ajo të mbështesë ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapnin rrugën integrimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Por, Mickovski ngul këmbë që në një qeveri të gjerë të mos ketë vend për Bashkimin Demokratik për Integrim.
Drejtuesi opozitar, Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së ka kohë që priste një takim me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski për të sheshuar qëndrimet lidhur me avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Ai shikohej nga kundërshtarët politikë por dhe një pjesë e analistëve si pengesë e politikave pro-perëndimore.
Pas takimit të së mërkurës që zgjati vetëm një orë e gjysmë, u la të kuptohej se partia më e madhe maqedonase e opozitës mund të lëshojë pe nga qëndrimet e saj duke i dhënë mbështetje ndryshimeve kushtetuese të kërkuara nga BE-ja, por me një kusht: që nga qeveria të largohet Bashkimi Demokratik për Integrim.
Kovaçevski dhe Mickovski kanë diskutuar për mundësinë e formimit të një qeverie të gjerë që do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme menjëherë pas miratimit të rishikimit të Kushtetutës, përkatësisht të futjes së pakicës bullgare në të, që është kushti kryesor për vazhdimin e bisedimeve për integrim të Maqedonisë së Veriut me Bllokun.
Kovaçevski, i cili është dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate në qeveri, shprehet se për të pushteti nuk është i rëndësishëm sa përparimi i vendit drejt anëtarësimit në BE, ndërkohë që i ka ofruar opozitës të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar duke i lënë asaj pesë nga dhjetë vendet e ministrave; por që së pari të bëhen ndryshimet kushtetuese. Rivali i tij politik Hristijan Mickovski, nga ana tjetër, theksoi kushtin për këtë gjë:
“VMRO-DPMNE është e gatshme të hyjë në qeveri me Lidhjen Social Demokrate dhe me partitë tjera politike, por pa pjesëmarrjen në atë qeveri të Bashkimit Demokratik për Integrim. VMRO-ja është gati të bëhet pjesë e qeverisë, ndërsa zgjedhjet i përgatitë një qeveri teknike dhe jo kjo qeveri; ndryshimet eventuale kushtetuese të bëhen ditën kur bëhet ratifikimi i protokollit integrues të Maqedonisë në BE nga parlamentet e 27 vendeve anëtare”, tha Mickovski.
Por, kryeministri e vlerëson këtë si shkelje e kornizës së bisedimeve me Bllokun. Kovaçevski kërkon që së pari të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe më pas VMRO-ja të hyjë në qeveri.
“Edhe partitë partnere të koalicionit qeveritar do të kenë mundësi të prononcohen lidhur me propozimin, por para çdo vendimi unë bëj konsulta me të gjitha palët”, u shpreh Kovaçevski, ndërkohë që nuk komentoi këmbënguljen e VMRO-së për të lënë BDI-në jashta qeverisë.
Nga ana tjetër, Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së dhe Ministër i Jashtëm, ka shkruajtur në rrjetet sociale se partia “është e gatshme të mbështesë një qeveri pa pjesëmarrjen e saj në të, nëse opozita i përkrahë ndryshimet kushtetuese të cilët do të duhej të hyjnë në fuqi para se të formohet ajo qeveri”.
BDI-ja vazhdon të ketë mbështetjen më të lartë të votuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut sipas një sondazhi të fundit të Institutit Demokratik Amerikan. Ndërkaq, mosdurimi midis saj dhe VMRO-së nisi pas ardhjes në krye të kësaj të fundit të Hristijan Mickovskit.
Top Channel