SHBA-Kinë përplasen në Indo-Paqësor, ekspertët: Pekini po ia kalon

07/06/2023 08:40

Koreja e Jugut u detyrua të mobilizonte avionët e saj luftarakë pasi bombardues të Kinës dhe Rusisë hynë në zonën e saj të identifikimit ajror në jug dhe në lindje të Gadishullit Korean, incident ky, i cili pasoi dy fërkime të mëparshme mes forcave amerikane dhe atyre kineze në Ngushticën e Tajvanit dhe në Detin e Kinës Jugore.

Ministria kineze e Mbrojtjes u justifikua duke thënë se avionët që hynë në zonën koreanojugore të identifikimit ajror, po merrnin pjesë në një stërvitje të përbashkët vjetore me Rusinë mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore, stërvitja e gjashtë e këtillë që nga viti 2019.

Stërvitja më e fundit pasoi manovrat e përbashkëta ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Zona e identifikimit ajror nuk është pjesë e hapësirës ajrore të Koresë së Jugut. Megjithatë asnjë prej këtyre dy vendeve nuk dhanë njoftim paraprak se avionët e tyre do të hynin në këtë zonë, tha agjencia koreanojugore e lajmeve Yonhap.

Vetëm dy ditë më parë ndërkohë një anije kineze kishte kaluar në distancë të ngushtë  përpara një destrojeri amerikan në Ngushticën e Tajvanit, dhe një avion luftarak kinez manovroi pranë një avioni ushtarak amerikan në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Kinës Jugore më 26 maj.

Një zyrtar i administratës së Presidentit Biden i përshkroi incidentet si shembuj të “agresivitetit në rritje” të Pekinit, që rrisin rrezikun për gabime dhe përshkallëzim. Sipas një analize të re nga një institut australian, kërkimet kineze mbi disa teknologji kryesore ushtarake janë aq të avancuara saqë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kryesorë do të mbesin gjithmonë prapa.

Instituti Australian i Politikave Strategjike (ASPI) publikoi gjetjet e tij të martën bazuar në një analizë të punimeve kërkimore më të cituara, duke arritur në përfundimin se Kina kryeson në 19 nga 23 kategoritë kryesore, duke përfshirë disa teknologji që ka të ngjarë të luajnë një rol të madh në përpjekjet e Pekinit për një mbizotërim ushtarak në rajonin e Indo-Paqësorit dhe më gjerë.

Top Channel