Teksa zemërata e Perëndimit është lëshuar mbi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti si nxitësi, sipas ndërkombëtarëve i tensioneve në veri, Aleksandër Vuçiç u shfaq në sytë e tyre si pajtues.
Pas takimi të zhvilluar në Beograd me të dërguarit e SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe atë të BE, Miroslav Lajçak, kreu i shtetit serb u shpreh se vendi i tij ka qenë gjithmonë koherent ndërsa i kujtoi Prishtinës detyrimet që duhet të përmbushë, duke nisur nga Asociacioni.
“Është koha që autoritetet në Kosovë të përmbushin atë për të cilën janë zotuar, e para së gjithash të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Që nga dita e parë, Serbia ka qenë konstruktive, konsistente dhe partnere e qëndrueshme në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit në mbarë rajonin”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Me dy diplomatët e lartë të BE dhe SHBA u takuan dhe përfaqësuesit e Listës Serbe e cila përsëriti kërkesat e saj për tërheqjen e policisë së Kosovës në veri, zgjedhje të reja dhe po ashtu krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lajçak përmes Twitter shpjegoi se i ka kërkuar politikanëve serbë që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja të cilat do të mbahet në veri të Kosovës.
“Në Beograd, së bashku me Escobarin patëm diskutime të gjata mbi situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk mund të pranohet kurrë dhe një zgjidhje politike e krizës aktuale, nevojitet urgjentisht. Ne e vlerësuam gatishmërinë e presidentit Vuçiç për të dhënë kontributin e tij”, ka shkruar Lajçak.
Top Channel