Disa hebrenj amerikanë vënë në dyshim mbështetjen e tyre për Izraelin

06/06/2023 19:29

Për dekada, hebrenjtë amerikanë kanë qenë mbështetësit më të fortë të Izraelit, që nga grumbullimi i fondeve për shtetin e sapolindur hebraik e deri tek inkurajimi i mbështetjes së qeverisë amerikane për Izraelin.

Por siç njofton nga Jeruzalemi korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein plani aktual i qeverisë izraelite për të ndryshuar sistemin gjyqësor ka bërë që disa hebrenj amerikanë të vënë në dyshim mbështetjen e tyre.

Dhjetëra mijëra hebrenj amerikanë marshuan në një nga rrugët kryesore të Nju Jorkut të dielën në paradën vjetore Celebrate Israel. Por për herë të parë pati një numër të konsiderueshëm protestuesish, që i bënë jehonë kundërshtimit të planit për rishikimin e sistemit të gjyqësorit nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanjahu. Plani ka shkaktuar zemërim në Izrael ku qindra mijëra protestues kanë dale në rrugë gjatë pesë muajve të fundit.

Plani synon të pakësojë kompetencat e Gjykatës së Lartë të Izraelit dhe shumë udhëheqës të komunitetit hebre në SHBA thonë se janë të shqetësuar se nëse ai miratohet, Izraeli nuk do të jetë më një demokraci liberale.

“Shumë hebrenj amerikanë si unë – identiteti ynë është shumë i bazuar në marrëdhëniet tona me Izraelin. Dhe njerëzit janë jashtëzakonisht të shqetësuar dhe pyesin nëse ky është Izraeli të cilin kanë njohur, dashur, mbështetur dhe punuar për dekada e dekada me radhë”, thotë për Zërin e Amerikës Susie Gelman, ish-kryetare e Forumit të Politikave të Izraelit.

Organizatat hebraike amerikane kanë mbështetur prej kohësh qeveritë izraelite, duke përfshirë ato të udhëhequra prej 15 vjetësh nga kryeministri Netanjahu. Por disa analistë thonë se koalicioni aktual i zotit Netanjahu me partitë e ekstremit të djathtë dhe ultra-ortodoksë e minon këtë mbështetje.

“Shumë njerëz po përjetojnë një shqetësim të jashtëzakonshëm duke menduar se si të mund ta mbrojnë Izraelin siç do të donin. Njerëzit që kanë qenë gjithmonë mbështetës të Izraelit. Njerëz që dhuruan para për kauzat izraelite, tani po shikojnë një qeveri izraelite që e kanë të pamundur ta mbështesin”, thotë për Zërin e Amerikës Matti Friedman, autor dhe gazetar.

Përveç planeve të ndryshimit të sistemit gjyqësor, ligjet që propozohen nga partitë ultra-ortodokse të qeverisë kërcënojnë të distancojnë shumicën e hebrenjve amerikanë që identifikohen me rrymën më liberale të judaizmit.

“Nëse gjërat nuk ndryshojnë dhe Izraeli vazhdon në rrugën e të qenurit një shtet më pak demokratik, aq më pak një shtet hebraik në kuptimin e një shteti për të gjithë hebrenjtë – reformatorë, konservatorë, jo praktikues të fesë, etj. – mendoj se atëherë do të fillojmë të shohim që njerëzit thjesht do të ngrenë duart lart dhe do të largohen”, thotë Susie Gelman.

Disa analistë thonë se lëvizja e përhapur e protestave në Izrael kundër politikave të qeverisë së ekstremit të djathtë është frymëzuese për hebrenjtë liberalë amerikanë.

“Hebrenjtë amerikanë po shohin një fenomen në Izrael që e ndjejnë shumë pranë, për të cilin janë shumë të emocionuar dhe që duan shumë ta mbështesin. Duhet pranuar që nuk është qeveria, por është një pjesë shumë e gjerë e sektorëve të shoqërisë izraelite”, thotë për Zërin e Amerikës Daniel Gordis me Institutin ‘Shalem’.

Pavarësisht tensioneve qeverinë izraelite, drejtuesit e komunitetit hebraik në SHBA shpresojnë se marrëdhënia amerikano-izraelite do të mbetet e fortë. Por Presidenti Biden ende nuk e ka ftuar kryeministrin Benjamin Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë, një ndryshim nga tradita e deritanishme./VOA

Top Channel