Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nganjëherë mund të kenë ndonjë dallim në qasje apo ndonjë dallim në elemente taktike të operacioneve që zhvillohen por për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve, nuk kanë asnjë dallim.
Kurti ka deklaruar se në trazirat e dhunshme në tri komunat në veri të vendit, janë tri kategori të qytetarëve, siç është mbrojtja civile e ku hyjnë edhe policët nga Serbia, elementët e xhandarmerisë të Rusisë, që janë adhurues të Rusisë e kështu me radhë.
Sipas tij, në kategorinë tjetër janë punëtorët e administratës publike që e kanë të detyruar të dalin në të ashtuquajturat protesta sepse përndryshe humbin vendin e punës dhe kategoria e punëtorëve në kompanitë private të disa prej kontrabandistëve, kriminelëve kryesorë si Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët detyrohen të shkojnë në sheshin para komunës e të jenë të dhunshëm, ndërkaq te vend i tyre i punës në kompani private të këtyre kriminelëve multimilionerë iu shkruan se kanë marrë ditë pushimi.
“Këto trazira po i bëjnë sepse po e shohin që Kosova është shtet, që Kosova ka polici profesionale që ne jemi vend demokratik që po zhvillohemi, ndërkaq ata e duan ndarjen e Kosovës, ata e duan copëtimin e Kosovës, ky është synimi i qartë i tyre, shkëmbimi territorial ka qenë emërtimi për ndarjen e Kosovës i cili do t’i joshte edhe disa shqiptarë që të hynin në të. Ata prej këtij projekti të dështuar nuk kanë hequr dorë në formën e një ideje. Por kjo ide, për të ardhur në shprehje mund të bëhet vetëm nëpërmjet dhunës. Dikur ka mundur të vijë në shprehje edhe nëpërmjet bisedimeve, për shkëmbim territorial dhe ndarje të Kosovës. Sot kjo ide mund të vijë në shprehje vetëm nëpërmjet dhunës dhe këtë ne jemi duke e parë dhe këtë duhet ta zmbrapsim dhe për këtë na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë. Ne di t’ia dalim, do të jemi të suksesshëm dhe unë jam shumë optimist për këtë gjë, por duhet të jemi bashkë, të fortë, të palëkundshëm sepse situate nuk ka qenë kurrë më e qartë, sepse nuk nevojitet asgjë më shumë as më pak se sa sundimi i ligjit dhe kushtetutshmëria në diku 1/6 e territorit të Kosovës që është mbi lumin Ibër”, ka thënë Kurti në një intervistë për për The Geopost.
Kurse, sa i përket raporteve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka thënë se sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve ne nuk kemi absolutisht asnjë dallim.
“Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e KUINT-it në Kosovë dhe natyrisht që kur u njoh procesi zgjedhor të cilin e patëm shtyrë për katër muaj në katër komunat në vëri, kur u njoh rezultati, kur u njoh rezultati, kur u njoh betimi ne nuk kishim tjetër zgjidhje përveçse kryetarët të fillojnë punën në vendin e tyre. Nëse kryetarët do të fillonin punën nëpër shtëpi private ky do të ishte betonim i strukturave paralele ilegale. Ne nuk mund t’u bëjmë struktura paralele strukturave paralele. Pra, ishim në një situatë të vështirë, ku nuk kishim zgjidhje ideale, mirëpo megjithatë mendoj që kemi vepruar mirë dhe jemi shumë falënderues për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që na e kanë dhënë dhe po na e japin. Nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në qasje, nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në elemente taktike le të themi të operacioneve që zhvillojmë dhe për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve ne nuk kemi absolutisht asnjë dallim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, tha ai.
Ai ka folur edhe për agresionin dhe invazionin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Gjashtë shtetet të cilat janë në Ballkanin Perëndimor ende të paintegruara në Bashkimin Evropian, që të gjitha këto janë vënë para testit më të rëndësishëm, pikërisht me 24 Shkurt të vitit të kaluar kur ndodhi agresioni dhe invazioni i pajustifikueshëm i Rusisë ndaj Ukrainës. Në këtë test u pa qartë se 4 shtete, qartazi janë kundër Federatës Ruse dhe për luftën çlirimtare të Ukrainës, fitorja e së cilës është emri tjetër për paqen atje, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi, kurse Serbia nuk vendosi sanksione, nuk e dënoi agresionin e këtë gjë ja kushtëzoi edhe Bosnje Hercegovinës për shkak se me Republikën Serbe aty e ka të drejtën e vetos dhe e kontrollon praktikisht politikën e jashtme, ndonëse Boshnjakët dhe Kroatët janë për t’i vënë sanksione Federatës Ruse, është pikërisht Republika Serbe që është krijesë gjenocidale, e cila e pamundësoi një gjë të tillë. Nuk është e çuditshme, sepse përderisa Kremlini synon realizimin e botës Ruse apo „Ruski Mir“ (Paqja ruse), Serbia, Beogradi synon të realizojë Botën Serbe, që është një emërtim tjetër, një eufemizëm për Serbinë e madhe. Unë e kam të qartë se Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit dhe për këtë e përdor Serbinë. Mirëpo në anën tjetër edhe Serbia është e gatshme që vazhdimisht t’i ngacmojë fqinjët, herë Bosnje e Hercegovinën, herë Malin e Zi e herë Kosovën sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta shmangë vëmendjen nga kriza e brendshme që ka, sepse asnjë popull nuk mund të qëndrojë gjatë pa liri. Qytetarët në Serbi nuk janë të lirë sepse Serbia nuk është vend demokratik, edhe Freedom House thotë që është regjim hibrid. Për bindjen time është autokraci e pastër, andaj krizën në të cilën ndodhet autokracia, sepse popujt dhe qytetarët duan të jenë të lirë natyrisht që do të mund të zbutet ca duke shkaktuar probleme në fqinjësi. Tash, fakti që thotë duhet të shkaktojë probleme, nuk do të duhej që ne të lëshojmë pe vetëm që ata të mos shkaktojnë probleme. Nëse ata duan të shkaktojnë probleme ne duhet t’i rezistojmë tendencës së tyre, mirëpo edhe me kushtin e nënshtrimit tonë. Në këtë aspekt pa dyshim që edhe Ujqit e natës edhe Ëagnerët kanë qenë në rajonin e Ballkanit, janë në Serbi dhe ne kemi të dhëna se kanë qenë gjatë muajit dhjetor në veri të Kosovës e tash po i mbledhim edhe të dhënat për ndikimin e tyre eventual në sulmet e 26 dhe 29 majit kundër policisë sonë, ushtarëve të NATO-s dhe gazetarëve. Bëhet fjalë përgjithësisht për njerëz të cilët, jo vetëm se janë kriminelë të cilët kanë bërë krime, por hapur e thonë që do të bënin sërish krime. Konkretisht, një ndër parullat që brohoritej me 26 maj ishte “Vrite, vrite”. Nuk janë këto protesta paqësore, të djegësh vetura të policisë, të bërtasësh “ Vrite, vrite” me banda të orkestruara nga Beogradi që paguhen prej andej dhe prej atje i marrin edhe direktivat, këto veçse protesta paqësore nuk janë. Prandaj, këta persona, këta ekstremistë që 5 prej tyre janë në burg, ndërkaq edhe 13 prej tyre i kemi identifikuar me siguri që janë njerëz të tillë te të cilët Kremlini sheh shansin e vet”, tha ai.
Top Channel