Përplasen dy anije mallrash pranë ishullit Hios/ Mjeti i dëmtuar nuk pranon ndihmën greke, i drejtohet brigjeve turke

03/06/2023 10:47

Pamjet nga operacioni i kërkim-shpëtimit që publikon ministria greke e Marinës Detare tregojnë se si është hapur një zgavër gjigante në mes të anijes së mallrave ANT me flamur Vanuatu, e cila është përplasur me anijen tjetër “POTENTIA” me flamur Singapori, 9 milje detare në veri-veriperëndim të ishullit Hios.

Përplasja e dy anijeve të cilat kanë qenë pa ngarkesë, ka ndodhur pasditen e së premtes, por shkaqet mbeten ende të paqarta.

Anija “ANT” me trembëdhjetë anëtarë të ekuipazhit, 10 prej të cilëve shtetas turq, e cila pësoi dëme të rënda materiale, refuzoi çdo ndihmë që i ofroi një anije shpëtimi e marinës greke, e cila i bëri thirrje të dërgonte vetëm një kërkesë pranë autoriteteve greke pasi ndodhej në ujrat detare të Greqisë.

Por ajo nuk ka pranuar dhe më pas, e shoqëruar nga një mjet lundrues i Rojes Bregdetare Turke, është nisur drejt Turqisë duke kërkuar atje ndihmën përkatëse.

AΝΤ ishte nisur nga Aleksandria e Egjiptit me destinacion Ukrainën , ndërsa anija tjetër “POTENTIA” me 19 anëtarë të ekuipazhit, të gjithë të huaj, ishte nisur nga Izmiri për në Francë.

Që në momentin e parë të përplasjes në vendngjarje kanë mbërritur një numër i madh mjetesh lundruese portuale dhe mjete ajrore, të cilat kanë konstatuar se nuk ka pasur të lënduar mes ekuipazheve të dy anijeve, në bordet e të cilave ndodheshin gjithsej 32 persona .

Top Channel