Gazetarja Elona Duro, me energjinë që nuk i shteron kurrë, ka ardhur këtë të shtunë me një rrëfim të ndjerë për njerëzit e saj të shtrenjtë që nuk jetojnë më.
Për emisionin “S’e Luan Topi”, Duro tregon se si humbi gjyshërit, një në fillim të pandemisë dhe tjetrën në kulmin e saj, në korrik të 2020-ës. Gazetarja thotë se 2020-ta ka qenë një ndër verat e saj më të trishta, pasi dera e fundit e gjyshërve të saj u mbyll për të mos u ndjer më kurrë ashtu.
“Pak përpara muajit shkurt largohet nga jeta gjyshja ime, pra mamaja e mamit. Dhe gjatë kohës së pandemisë, në korrik të 2020-ës, atëherë kur ende nuk e dinim ça ishte dhe ishte ajo vala e keqe që na mbylli të gjithëve, ndahet nga jeta gjyshja e babit.
Unë më shumë kam qëndruar te gjyshërit e babit. Nëna Drita u nda nga jeta në fillim të korrikut të 2020-ës. Kjo ishte shumë shokuese sepse ajo ishte ajo gjyshja e fortë, sigurisht me ato sikletet dhe sëmundjet e moshës por jo për të ikur dhe për të na lënë aq papritur. Ajo ka qenë një nga verat për të trishta për mua dhe ajo ishte gjyshja e fundit që u largua nga të katërt dhe dera e fundit e gjyshërve që mbyllet. Nuk do të thoshim më, do të shkoj te nëna, do shkoj te gjyshi. Do shkoj të ha petullat e nënës, të shtrihem te përhëri i nënës.
U ndjeva krejt e pafuqishme edhe përballë edhe doktorëve që më kishin pritur me idenë se çfarë mund të bëjmë për ta shpëtuar. Por ishte shumë vonë dhe shumë e shpejtë, nuk është se na la shumë kohë që të kujdeseshim për të.
Shumë e trishtë ishte edhe përcjellja për në banesën e fundit, ku nuk është se do të mblidheshin shumë njerëz për ta nderuar ashtu si duhet. Unë që jam rritur në përhërin e saj, kisha edhe djalin dhe kisha frikën e madhe për t’i dhënë atë puthjen dhe përqafimin e fundit.
Kam kaluar një verë shumë të trishtë dhe thash, u mbyll dera e gjyshërve që sigurisht do të vinte me moshë dhe kohë, por kur vjen kaq papritur dhe të gjen kaq të papërgatitur për ta ndihmuar dhe bërë gjithçka për ta shpëtuar, ishte….”- tha Duro.
Gazetarja tha se i ka mbetur peng, jo vetëm që nuk bëri dot gjë për ta shpëtuar, por edhe mënyra sesi e përcolli. Pa bërë ato ritet tradicionale të mortit që na karakterizojnë ne shqiptarëve.
“Më ka mbetur peng. Jo vetëm që nuk bëra dot gjë për ta shpëtuar, sepse nuk ishte as në fuqitë e mija dhe as të mjekëve, as të kohës në të cilën jetonim. Por më ka mbetur peng mënyra se si e përcolla dhe të nesërmen nuk ishte më zbatimi i atyre riteve të cilat ne shqiptarët i ruajmë. Të disatën ditë, apo të disatën ditë, por edhe atë drekën e përcjelljes ta gëzosh mes miqsh… por ne ishim kështu me maska, të larguar duke mbaruar punë shpejt e shpejt”- tha Duro.
Top Channel