Samiti në Kishinau dhe sinjalet për Moldavinë e Ballkanin

02/06/2023 14:27

Samiti evropian kundër Rusisë në Moldavi: 47 shtete mbështesin Ukrainën dhe dënojnë Rusinë.

Macron krijoi formatin si forum për komunikim më të mirë mes vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera evropiane.

Pishina në kopshtin e kantinës luksoze Mimi Castel mes kodrave të gjelbërta mbeti e pashfrytëzuar në këtë të enjte me diell dhe të nxehtë. 47 krerët e shteteve apo qeverive që kanë udhëtuar nga Evropa nuk kanë kohë për të notuar, por relaksohen me një bisedë me pije të freskëta nën çadra dielli. Kufiri me Ukrainën është vetëm 20 kilometra larg. Në grupet e vogla dinamike të punës për tema të tilla si energjia apo siguria kibernetike, drejtuesit e shteteve dhe qeverive nuk duken vërtet të tensionuar. Koncepti informal për takimin e “Komunitetit Politik Evropian” duket se po funksionon.

Presidenti francez Emmanuel Macron krijoi formatin si një forum për komunikim më të mirë midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera evropiane. Bëhet fjalë për një “dialog strategjik”, jo për vendime të vështira. Është takimi i dytë i këtij lloji pas Pragës në tetor 2022. Dhe mesa duket XXL-it i pëlqen ky lloj takimi familjar evropian. Tashmë janë planifikuar takimet numër tre dhe katër në Spanjë dhe Britani të Madhe.

Koalicioni evropian kundër Rusisë

Mesazhi kryesor nga ky samit në Moldavi: Evropa qëndron pranë Ukrainës së sulmuar nga Rusia për aq kohë sa duhet. Erdhën të gjitha vendet evropiane, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, të cilat, logjikisht, nuk ishin të ftuara. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha: “Rusia nuk po qëndron larg sepse ne nuk donim ta ftonim atë, por sepse vetë (presidenti) Putin e përjashtoi Rusinë nga komuniteti me luftën e tij kundër Ukrainës”. Në Kështjellën Mimi erdhi edhe kryeministri hungarez Viktor Orban, megjithëse ai është kundër sanksioneve të BE-së dhe konsiderohet miku më i mirë i Putinit brenda Bashkimit Evropian. Ai ecte në tapetin e gjatë të kuq mjaft i vetmuar dhe qëndroi larg bisedave.

Pjesëmarrësi më i vërejtur në samit ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili, pavarësisht sulmeve më të fundit nga Rusia, e bëri udhëtimin mjaft të shkurtër për në vendin fqinj me tren natën. Kantina komode, paqësore dhe lufta që shpërtheu vetëm disa kilometra më larg – këto gjëra vërtet nuk shkojnë bashkë, vuri në dukje zonja nikoqire, presidentja e Moldavisë Maia Sandu. Qëllimi i saj është që të arrijë shpejt një atmosferë paqësore sërish për të gjithë Evropën.

Ukraina kërkon garanci sigurie

Si gjithmonë me paraqitjet ndërkombëtare, presidenti Zelensky kishte të njëjtën kërkesë: më shumë ndihmë, më shumë armë, më shumë shpejtësi. Presidenti ukrainas tha se vendi i tij ishte gati për BE-në dhe për aleancën ushtarake të NATO-s. “Do të shohim kur NATO do të jetë gati”, tha Zelensky. Deri në anëtarësimin në NATO, ai kërkon garanci individuale të ndihmës nga shtetet më të mëdha si Franca, Britania e Madhe apo Gjermania. Garancitë e sigurisë janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për fqinjët tanë si Moldavia, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës dhe agresionit të mundshëm kundër pjesëve të tjera të Evropës.

Presidenti ukrainas, presidenti francez dhe kancelari federal Olaf Scholz diskutuan në një grup të vogël se si duhet të duken garancitë e tilla të sigurisë. Vendimet konkrete nuk u komunikuan, por kancelari tregoi se kishte lëvizje. “Ne gjithmonë kemi thënë se duhet të ketë garanci për një rend paqeje pas luftës dhe Gjermania do të japë një kontribut për këtë”, tha Scholz. Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, i cili do të presë samitin e ardhshëm të madh të NATO-s në Vilnius në korrik, i bëri thirrje NATO-s të miratojë një udhërrëfyes të qartë për pranimin e Ukrainës. Duket se ka një lëvizje edhe sa i përket avionëve luftarakë F-16 që pretendon Ukraina. Kryeministri holandez Mark Rutte, vendi i të cilit mund të furnizojë potencialisht me F-16, tha se do të diskutohej në Mimi Castel. Ukraina do të mbajë një “samit paqeje” sapo të fitohet lufta kundër Rusisë, tha presidenti ukrainas Zelensky. Megjithatë, ai nuk mund të thotë se kur mund të ndodhë kjo. Rusia mund t’i japë fund luftës menjëherë. Ndërsa Ukraina është e detyruar të luftojë.

Moldavia në gjendje të rëndë

Presidentja moldave Maia Sandu falënderoi shprehimisht kolegun e saj Zelensky që po mbron jo vetëm vendin e tij, por edhe vendin e saj dhe të gjithë Evropën. Qeveria në Moldavi ka frikë se ky vend mund të jetë i radhës në listën e sulmeve të Putinit pas Ukrainës. “Sot Ukraina po e mban Moldavinë të sigurt. Ne jemi shumë, shumë mirënjohës për këtë,” tha Maia Sandu, e cila qeveris një vend të ndarë dhe me shumë probleme. Relativisht e varfër, pa një ushtri që ia vlen të përmendet dhe e përkushtuar ndaj neutralitetit ushtarak sipas kushtetutës, Moldavia do të ishte goxha e pambrojtur. Në provincën e shkëputur moldave të Transnistria ka edhe ushtarë rusë, ato që Moska i quan trupa paqeruajtëse, të cilët kanë mbrojtur sundimtarët postkomunistë atje për 30 vjet.

Forcat pro-ruse sundojnë gjithashtu në Gagauzia, një rajon autonom. “Ka një shumicë prej 50 deri në 60 për qind që mbështet procesin e integrimit evropian”, tha për DW eksperti për Evropën, Mihai Mogildea. Ai analizon afrimin e Moldavisë me BE-në për “Institutin për Politikat dhe Reformat Evropiane” në Kishinau. Nëse përfshini diasporën e madhe moldave në sondazhe, ndoshta do të dilnit me 70 për qind. “Në të njëjtën kohë, ekziston një pjesë e rëndësishme e shoqërisë, rreth 25 për qind, që mbështet një partneritet të thellë dhe të ngushtë me Rusinë, pavarësisht agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
A do të anëtarësohet Moldavia në BE më shpejt se Ballkani?

Me angazhime të reja financiare dhe shumë masa infrastrukturore, Komisioni i BE-së po përpiqet të bindë skeptikët dhe ta bëjë Moldavinë më të gatshme për anëtarësim. Vetëm vitin e kaluar, vendi i dytë më i varfër në Evropë, së bashku me Ukrainën, aplikuan për t’u anëtarësuar në BE. Për shkak të luftës, gjithçka ndodhi papritur shumë shpejt. Moldavia dhe Ukraina u promovuan në vendet kandidate pas disa muajsh. Presidentja e Moldavisë tani shpreson se bisedimet zyrtare të pranimit do të fillojnë deri në fund të vitit. Moldavia po bën përparim shumë më të shpejta në shumë fusha, si lufta kundër korrupsionit apo sundimi i ligjit, sesa disa shtete në Ballkanin Perëndimor, tha Mihai Mogildea për DW. Prandaj, procesi i anëtarësimit mund të shkojë shumë më shpejt se në disa vende të Ballkanit që kanë negociuar me BE-në prej vitesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA