Pas telefonatave me disa zyrtarë amerikanë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nënvizoi me tonë të ulura se është i përkushtuar të punojë me SHBA-në për të ulur tensionet” në veri të Kosovës.
Siç njoftoi dhe vetë përmes Twitter-it, ka diskutuar me zëvendës-këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, dhe senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen.
“Ulja e tensioneve kërkon përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, thuhet në njërin prej postimeve të tij.
Por deri në zgjedhjet e reja, siç nënkupton kryeministri, rruga drejt shtensionimit të situatës është “largimi i turmave të dhunshme para ndërtesave të komunave dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes se Brukselit është rruga drejt de-përshkallëzimit deri në zgjedhjet e reja”.
Kërkesën për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës e paraqitën më herët Gjermania e Franca, e thirrjes së tyre iu bashkua edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Borell shpjegoi se përveç kësaj, duhet të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në procesin zgjedhor dhe të fillohet puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Dështimi për ta bërë një gjë të tillë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell në Twitter. Për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës, kryediplomati evropian u takua në Moldavi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe liderët e Francës e Gjermanisë.
Top Channel