Euro zbret në 108.37 lekë/ Zhvlerësimi ul çmimet, inflacionin dhe bën më të lira kreditë

02/06/2023 19:41

Ekonomia shqiptare tashmë ka hyrë në një raport të ri me monedhën evropiane.

Që nga viti 2004 kur Banka e Shqipërisë prezanton statistikat e kursit të këmbimit, monedha ka arritur nga niveli 133 kundrejt lekut, në kulmin e saj prej 142.55 në vitin 2011 dhe në minimumin historik prej 108.73 lekësh në muajin qershor të këtij viti.

Zhvillimet në kursin e këmbimit po afektojnë të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërsa ekspertët shpjegojnë përfitimet dhe rreziqet.

 “Qytetarët do të ndihen më pak të prekur nga inflacioni i huaj, pra i bën më të lira produktet që vijnë nga BE, por nga krahu tjetër i bën më të shtrenjta produktet shqiptare që ne eksportojmë. Për sa i përket të ardhurat që vijnë nga turizmi,  ata turistë që po vijnë me monedhën euro po vijnë me një monedhë të zhvlerësuar dhe ndoshta nuk do të kemi konsum aq të lartë. Është pozitive për qeverinë shqiptare ë i merr kreditë nga Bashkimi Europian dhe po ashtu për kreditë që kompanitë marrin në monedhën euro, është më e thjeshtë për to që t’i shlyejnë”, tha Mikel Qafa.

Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit, që përcaktohet nga agjentët e tregut. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se të hyrat nga remitancat, turizmi dhe investimet e huaja direkte kanë sjellë flukse të shumta të euros, ndërkohë që edhe rritja e normës për lekun kanë forcuar monedhën tonë kombëtare.

Top Channel