“UNUM Festival 2023”/ Policia plan masash për mbarëvajtjen e aktivitetit

01/06/2023 22:43

Policia e Lezhës ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e aktivitetit “UNUM Festival 2023”, që do të zhvillohet në datat 1-6 qershor në Shëngjin.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në kuadër të zhvillimit të aktivitetit “UNUM Festival 2023”, ka hartuar një plan të detajuar masash që konsistojnë në garantimin e rendit dhe të sigurisë, në parandalimin e aksidenteve rrugore, në parandalimin e shpërndarjes dhe përdorimit të lëndëve narkotike, në parandalimin e konflikteve për shkak të përdorimit të pijeve alkoolike, si dhe në parandalimin e ngjarjeve kriminale, gjatë këtij aktiviteti.

Në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe të sigurisë, do të kryhen monitorimet me dronë, me makina inteligjente të pajisura me radarë automatikë dhe me kamera, nga Policia Kriminale, patrullat e përgjithshme dhe “Shqiponjat”, ndërsa në bashkëpunim me Policinë Kufitare do bëhen patrullime në det, me mjetet lundruese të Policisë Kufitare.

Policia e Lezhës njofton të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet, se lëvizja nga qyteti i Shëngjinit deri në vendin e zhvillimit të aktivitetit, do të bëhet vetëm me automjete të shërbimit të transportit ‘’Taxi’’ dhe të transportit urban, të licencuara, si dhe me mjete të tjera të kontraktuara nga organizatorët për këtë event, që do të kenë logot dhe lejet përkatëse.

Të gjithë pjesëmarrësit që do të kërkojnë të kalojnë në vendin e zhvillimit të aktivitetit, do t’i nënshtrohen kontrolleve policore në pikat e postblloqeve të ngritura posaçërisht për këtë qëllim nga shërbimet policore.

Me këtë rast, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për njohjen dhe zbatimin e masave kufizuese, për zhvillimin sa më normal e të sigurtë të aktivitetit.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të incidenteve apo paligjshmërive që mund të ndodhin gjatë këtij aktiviteti, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe ndërhyrje profesionale nga Policia.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel