Matura Shtetërore/ Policia e Shtetit zbardh shifrat: 470 efektivë policie të angazhuar për mbarëvajtjen e provimit të parë

01/06/2023 19:38

470 punonjës policie u angazhuan për mbarëvajtjen e zhvillimit të provimit të parë të Maturës Shtetërore, atij për gjuhën e huaj.

Përmes një komunikate për shtyp, Policia e Shtetit njofton se: “Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Për planifikimin dhe kryerjen e shërbimeve policore, gjatë procesit të provimeve të Maturës Shtetërore, qershor 2023”, u ndërmorën të gjitha masat e nevojshme, dhe mbrëmjen e djeshme në të gjithë vendin janë marrë në ruajtje 52 objekte arsimore, në të cilat u vendosën materialet e provimit.”

Mëngjesin e sotëm pranë çdo qendre provimi pati punonjës policie për të siguruar mbarëvajtjen e procesit, në mënyrë që testimi i maturantëve të shkonte qetë dhe i sigurtë.

Në përfundim të provimit punonjësit e policisë në zbatim të detyrave, bënë shoqërimin e materialeve të provimit. Gjatë gjithë procesit, nuk është evidentuar asnjë incident, përsa i përket rendit dhe sigurisë, njofton Policia e Shtetit, ndërsa uron maturantët në të gjithë vendin suksese në këtë provim dhe në provimet e radhës.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel