Shërbimet policore të Lezhës kanë nisur monitorimet me dron dhe kamera në akset rrugore të cilësuara si “njolla të zeza” për ngjarje rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve, që bëhen rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Kontrolle intensive janë zhvilluar edhe në terren me radarë, dragera e makina inteligjente.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, ditën e djeshme janë proceduar penalisht dy drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa leje drejtimi si dhe një për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Procedim penal pati edhe për 6 drejtues të tjerë mjetesh, të cilët si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, janë bërë burim aksidenti me pasoja në njerëz dhe dëme materiale.

Gjatë kontrolleve janë ndëshkuar 109 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 31 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 27 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 228 drejtues për shpejtësi tej normave të lejuara, si dhe 3 drejtues mjetesh për mosrespektimin të kalimit të këmbësorëve në vizat e bardha.

Policia e Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.

Top Channel