Policia e Shtetit përjashton inspektorin e Shkodrës, Shkëlzen Gjonajn pas denoncimit publik nga Fiks Fare.

Fiks Fare denoncoi veprimet arbitrare të një inspektori policie në Shkodër, i cili i kontrollon portofolin një qytetari dhe një tjetër e dhunon.

Në redaksinë e Fiksit mbërriti një informacion, i shoqëruar me video, për komandantin e Rendit në Policinë e Shkodrës, Shkëlzen Gjonaj, i cili futet në një makinë private pa mandat dhe i kontrollon portofolin. Sipas informacioneve, polici dyshohet se ka marrë nga portofoli një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro, të cilat pasi u pikas nga kamerat ia ka kthyer pronarit disa orë më pas.

Reagim i Policisë së Shtetit

Në vijim të informacionit të dhënë nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, sqarojmë se:

Pas transmetimit të një rasti tjetër të abuzimit me detyrën nga ky punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj. Ndërkohë AMP është duke kryer veprimet procedurale për arrestimin e tij. Policia e Shtetit falënderon median që denoncon raste të tilla dhe siguron qytetarët e median se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj cilindo punonjës që do të cenojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve apo do të abuzojë me detyrën.

Top Channel