Shpresa për borxhin, SHBA pranë marrëveshjes: Të shmangim falimentin!

26/05/2023 08:55

Pas një ngërçi disa javor, SHBA mund të marrë pak frymë lirisht: presidenti Joe Biden dhe republikani kryesor në Kongres, Kevin McCarthy, kanë bërë një përparim të rëndësishëm drejt marrëveshjes për reduktimin e shpenzimeve dhe për të rritur tavanin e borxhit të qeverisë, i cili është aktualisht 31.4 trilionë dollarë.

Nëse ujdia për borxhin nuk arrihet, pasojat për ekonominë amerikane mund të jenë të mëdha. Departamenti i Thesarit pohoi se në rastin e një skenari të tillë, qeveria federale mund të përballet me mungesë fondesh për të mbuluar shpenzime të caktuara deri në 1 qershor. Biden tregoi se cilat janë kërkesat e republikanëve. Ata, sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, i mëshojnë idese për shkurtime të konsiderueshme të shpenzimeve, por kjo do të sillte në një reduktim të numrit të mësuesve, oficerëve të policisë dhe agjentëve të patrullimit kufitar.

“Unë nuk besoj se e gjithë barra duhet të bie mbi amerikanët e klasës së mesme dhe punëtore. Miqtë republikanë nuk janë dakord”, u shpreh Biden.

Nëse arrihet një marrëveshje, ajo do të përcaktojë udhëzime të përgjithshme për shpenzimet, ndërkohë që ligjvënësit t’i trajtojnë detajet specifike në javët dhe muajt e ardhshëm. Çdo marrëveshje për të rritur tavanin e borxhit duhet të kalojë të dyja dhomat e Kongresit, dhe për këtë arsye nevojitet shumë mbështetja partiake sepse republikanët e McCarthy kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa demokratët e Biden-it kanë frerët e Senatit.

Dështimi i mundësisë për të paguar do të zhyste jo vetëm SHBA-në në recesion, por mund të përmbysë edhe tregjet financiare globale, e do të rriste normat e interesit në çdo gjë, nga pagesat e makinave deri te kartat e kreditit.

Top Channel