Ekonomia rritet, mungojnë punëtorët/ Shoqata Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë analizon ekonominë shqiptare

25/05/2023 19:45

Shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri ka kryer një anketim në lidhje klimën e biznesit në vendin tonë.

Rezultatet e tij sinjalizojnë sinjalizojnë një përmirësim të ngadaltë, për situatën ekonomike, ndërkohë që mungesa e fuqisë punëtore mbetet shqetësim për biznesin.

Anketimi niste me pyetjen se si e vlerësojnë bizneset situatën aktuale ekonomike në Shqipëri.

45% e të anketuarve e vlerësojnë atë negativisht. Në anketim u përfshinë 44 kompani nga Shqipëria.“- tregon Bledar Mankollari, Drejtor Ekzekutiv i DIHA.

Ndër faktorët, të cilët ndikojnë në zgjedhjen e një destinacioni investimesh, janë vlerësuar më pozitivisht (ashtu si vitin e kaluar) produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, kualifikimi i punonjësve dhe kostoja e punës. Një ndryshim i dukshëm pozitiv dallohet edhe tek negociatat për anëtarësim në BE, faktor që më parë vlerësohej ndër të fundit në renditje.

Ndër faktorët e vlerësuar më negativisht vijojnë të renditen transparenca e tenderave publike, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, siguria ligjore, aksesi në financimet shtetërore dhe të BE-së dhe parashikueshmëria e politikave ekonomike.”– shprehet Mankollari.

Ndërsa vlen për t’u theksuar se “Disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar” ka shënuar një rënie të dukshme gjatë viteve të fundit, në krahasim me vitet e kaluara, kur ky faktor renditej si një ndër më pozitivët. Kjo shpjegohet nga shkalla e lartë e emigracionit gjatë viteve të fundit, që duket se ende nuk po bie.

“Kjo përforcohet edhe nga përgjigjja ndaj pyetjes “Ku i shikoni rreziqet më të mëdha në zhvillimin ekonomik të kompanisë suaj në 12 muajt e ardhshëm?”, ku pjesa më e madhe e të anketuarve shprehen se “Mungesa e forcës së punës” është rreziku më i madh për biznesin. Së fundi, të pyetur nëse do e zgjidhnin Shqipërinë përsëri si një vend për të investuar, 70% e bizneseve përgjigjen me po.”

Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf theksoi në fjalën e tij se sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të tregojnë një interes të madh për rajonin.

“Sa më e mirë të jetë klima e investimeve, aq më shumë firma do të zgjedhin Shqipërinë. Për këtë nevojitet veçanërisht siguri ligjore, konkurrencë e ndershme dhe rregulla transparente.”– shprehet Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf.

Top Channel