Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka denoncuar penalisht pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dy zyrtarë të saj në Fier.

Bëhet fjalë për drejtorin e Kadastrës së këtij qyteti Arben Vojo dhe specialisten e këtij institucioni Shpresa Gjikondaj.

Sipas kallëzimit të depozituar në SPAK, Vojo dhe vartësja e tij kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë falsifikuar dokumente duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 95 milionë lekësh.

Nga kontrolli i ushtruar,  thuhet se në të paktën 36 raste, nga zyrtarët e lartë tashmë të kallëzuar penalisht, nuk është llogaritur tatimi prej 15 përqindësh.

Sipas verifikimeve, për të njëjtën pasuri të paluajtshme, drejtori i Kadastrës së Fier, pas aplikimeve të njëpasnjëshme ka nxjerrë deri në katër përllogaritje të ndryshme, duke shkaktuar në këtë mënyrë një dëm të konsiderueshëm ekonomik.

Më herët Arben Voja ka mbajtur edhe detyrën e Drejtuesit të Agjencisë së Mjedisit në Fier, ndërsa nuk kanë munguar denoncimet për të.

Emisioni Fiks Fare në Top Channel në dhjetor të vitit 2020 denoncoi një skandal me dhënien e lejeve mjedisore në Fier, ku një ish-punonjëse tregoi skemën që përdorte Arben Vojo për të përfituar 400 deri në 700 mijë lekë për dhënien e një leje mjedisore në Fier.

Sipas punonjëses që denoncoi me zë e figurë, Vojo i sorollaste qytetarët deri në momentin që ata paguanin ryshfetin.

Top Channel