Aeroplanmbajtësja gjigande amerikane lundron në Oslo për stërvitjet e NATO-s, rusët e konsiderojnë provokim

24/05/2023 16:03
Foto: Javad Parsa/NTB/Reuters

Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R Ford, lundroi në Oslo në një shfaqje të forcës së NATO-s, teksa gjendemi në një kohë tensionesh të larta midis aleancës dhe Rusisë.

Anija dhe ekuipazhi i saj do të kryejnë stërvitje me forcat e armatosura norvegjeze përgjatë bregdetit të vendit në ditët në vijim, tha ushtria e Norvegjisë. Mediat norvegjeze raportuan se aeroplanmbajtësja do të lundronte në veri të Rrethit Arktik.

Një zëdhënës për Shtabin e Përbashkët Norvegjez, Jonny Karlsen, nga qendra e komandës operacionale të ushtrisë, nuk pranoi të komentojë mbi raportet.

Karlsen tha se vizita është një “sinjal i rëndësishëm i marrëdhënieve të ngushta dypalëshe midis SHBA-së dhe Norvegjisë dhe një sinjal i besueshmërisë së mbrojtjes kolektive dhe parandalimit”.

Ambasada ruse në Oslo dënoi vizitën e aeroplanmbajtëses. Përmes një mesazhi në faqen e saj zyrtare, ajo shkroi se: “Nuk ka problematika në Veri që të kërkojnë një zgjidhje ushtarake, as tematika ku nevojitet ndërhyrja e jashtme”.

Norvegjia ndan një kufi me Rusinë në Arktik dhe vitin e kaluar u bë furnizuesi më i madh i gazit në Evropë pas një rënie të rrjedhës së gazit rus.

Top Channel