Themeluesi i Top Medias, Dritan Hoxha përkujtohet sot në 15 vjetorin e vdekjes së tij.

Më 23 maj 2008 Dritan Hoxha u nda nga jeta, pas një aksidenti tragjik të ndodhur në Tiranë.

Hoxha ka themeluar radiot Top Albania, Top Gold dhe My Music, televizionin Top Channel, gazetën “Shqip”, platformën e parë në Shqipëri për transmetime digjitale tokësore dhe satelitore, DigitAlb dhe më pas, edhe për transmetime në celular sipas teknologjisë DVB-H.

Me punën e palodhur të tij, DigitAlb ishte e para kompani që realizoi në Shqipëri transmetime në High Definition, ndërsa Top Channel, i pari televizion që prodhoi emisione dhe dokumentarë në High Definition.

Nëpërmjet transmetimeve televizive ai mundi të realizonte një bashkim shpirtëror të të gjithë shqiptarëve kudo që janë nëpër botë.

Top Channel lindi si një familje, e cila fillimisht përbëhej nga ata pak njerëz që besuan në projektin e Dritan Hoxhës. Pas kësaj, çdo shqiptar mundi të gjente në këtë stacion veten e tij, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët.

Top Channel vrapoi me ritmin e Dritan Hoxhës, me vizionin dhe pasionin e tij, me dëshirën për t’u bërë gjithnjë e më i madh, duke mos menduar kurrë për të ngadalësuar. Dritan Hoxha ishte i pandalshëm, me një vizion që pakkush e ka dhe këtë e pasqyronte në çdo hap që hidhte.

Top Channel vazhdon të ndjekë ëndrrën e tij, ëndrrën e një gjiganti, të një njeriu që tregoi se gjithçka mund të ishte e mundur nëse do ta doje vërtet me gjithë zemër.

Sot, në 15-vjetorin e ndarjes nga jeta, Top Channel vazhdon të bëhet më i madh, vijon të sfidojë dhe të ndjekë më të mirët. Ashtu si lindi, përmes talentit, cilësive dhe pasioneve të një njeriu, qëndron edhe sot në shtëpinë e çdo shqiptari, sepse Ëndrra vazhdon…

Top Channel