I mori para një çifti për t’iu siguruar pension të invaliditetit, arrestohet tekniku i laboratorit në spitalin e Elbasanit

23/05/2023 10:59
Foto ilustruese

Një 37-vjeçar, me detyrë teknik laboratori në spitalin e Elbasanit, ka rënë në pranga pasi iu mori para një çifti bashkëshortësh, me pretendimin se do t’iu siguronte pension të invaliditetit, në kundërshtim me ligjin.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se, pas kallëzimit të dy bashkëshortëve për një rast korrupsioni, policia ka ndërhyrë menjëherë duke arrestuar shtetasin me iniciale E. P., banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore paraprake, dyshohet se 37-vjeçari iu ka marrë çiftit të bashkëshortëve shumën 100 mijë lekë, me pretendimin se do t’iu siguronte – në kundërshtim me ligjin – dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e pensionit të invaliditetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Top Channel