“Edhe në varr i shqetëson”, familja e Mahsa Amini akuza Iranit: Dhunuan varrin e saj

23/05/2023 09:07

Familja e Mahsa Aminit ka fajësuar forcat e sigurisë së Iranit për vandalizmin e varrit të saj.

Vdekja e Aminit, teksa po mbahej në paraburgim në shtator të vitit 2022, ndezi protesta mbarëkombëtare në Iran, që janë kthyer në një nga kërcënimet më të mëdha për udhëheqjen e Republikës Islamike që nga marrja e pushtetit në vitin 1979.

Avokati i familjes Amini, Saleh Nikbakht, u tha gazetarëve se “individë, të njohur për veprime të tilla të neveritshme në të kaluarën, sulmuan dhe shkatërruan varrin e Mahsa Amini”. Më pas ai tregoi fotografitë e varrit të dëmtuar që i kishte marrë nga prindërit e Aminit.

Avokati tha se babai Mahsa Aminit e kishte informuar se autoritetet kishin penguar vendosjen e një tende mbrojtëse mbi varrin e vajzës duke kërcënuar një saldator se, nëse ai kryente punën, biznesi i tij do të mbyllej.

E ëma e Mahsas, Mojgan Eftehari, pasi akuzoi zyrtarët qeveritarë se po e pengojnë qasjen te varrezat, shkroi një mesazh dukë thënë “ju lutemi të mos i shqetësoni njerëzit, të dashurit e tyre janë këtu”.

Ashkan Amini, vëllai i Mahsa Amini, ndau një foto të varrit të motrës së tij në Instagram, duke shkruar se “edhe xhami i gurit tënd të varrit i shqetëson”, duke iu referuar zyrtarëve iranianë, të cilët familja dhe mbështetësit i fajësojnë për vdekjen e saj.

Vëllai i Aminit tha se kjo ishte hera e dytë që vandalizohet varri i motrës së tij, duke thënë se “çfarëdo që të bëjnë, ne do ta rregullojmë. Të shohim kush do të lodhet i pari”.

Vdekja e Mahsa Amini, 22-vjeçares nga qyteti perëndimor iranian Saqez, e cila ishte ndaluar nga Policia e moralit e Iranit, nën akuzat se nuk kishte respektuar rregullat për veshjen e hixhabit apo mbulesës së kokës, ka nxitur protesta në mbarë Iranin.

Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran me bazë në Norvegji tha se trazirat e shkaktuara nga protestat kanë çuar në vdekjen e të paktën 587 personave, në mesin e të cilëve dhjetëra fëmijë dhe adoleshentë.

Forcat qeveritare iraniane janë akuzuar se kanë sulmuar, vandalizuar dhe shkatërruar varret e protestuesve të vrarë dhe të ekzekutuar, figurave kulturore, poetëve, shkrimtarëve, artistëve, kritikëve politikë, dhe në disa raste, edhe të të krishterëve.

Top Channel