Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me Dr. Hans Kluge, Drejtor Rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, gjatë Asamblesë së 76-të të OBSH-së, që po mban punimet në Gjenevë të Zvicrës.

Prioritetet për fuqizimin e sistemit shëndetësor si dhe adresimi i sfidave të mobilitetit të mjekëve ishin në fokus të takimit dypalësh.

“Jemi të fokusuar tek fuqizimi i shërbimit shëndetësor përmes investimeve në sistem, por edhe programeve të reja që po ndërmarrim në kujdesin parësor për të adresuar çështjet e shëndetit mendor, përmes integrimit të shërbimeve socio-shëndetësore. Strategjia e re e kujdesit parësor që po implementojmë, ka të bëjë edhe me zgjerimin e shërbimeve në kujdesin parësor, duke përfshirë edhe specialitete të tjera në qendrat shëndetësore, si fizioterapistë apo logopedë, për të garantuar më shumë shërbime afër vendbanimit”, tha Manastirliu gjatë takimit me dr. Kluge.

Ministrja Manastirliu dhe Drejtori i OBSH-së për Evropën, Dr. Kluge, ndanë së bashku idenë për krijimin e një platforme komunikimi aktive mes vendeve anëtare për adresimin e sfidës së mobilitetit të profesionistëve të shëndetësisë.

“Prioritet absolut është mbështetja e burimeve njerëzore në shëndetësi, që janë shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor. Ne po ndërmarrim një plan 2-vjeçar të rritjes së pagave dhe mbështetjes për profesionistët e shëndetësisë. Por për të adresuar çështjen e mobilitetit të mjekëve, e cila nuk i përket vetëm një vendi apo disa vendeve, lipset një platformë aktive komunikimi ndërmjet shteteve, duke shfrytëzuar forma të ndryshme të bashkëpunimit, në mënyrë që të kemi një mbështetje më të madhe për burimet tona njerëzore, përsa i përket trajnimit dhe edukimit të tyre në vazhdim”, tha Manastirliu.

Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Kluge, vlerësoi iniciativën e Shqipërisë për ofrimin e shërbimeve socio-shëndetësore si dhe propozimin për një platformë ndërveprimi për sfidën globale të mobilitetit të mjekëve.

“Përmirësimet në qendrat e kujdesit parësor dhe implementimi i shërbimeve socio-shëndetësore janë thelbësore për forcimin e sistemit shëndetësor, duke adresuar edhe sfidën e shëndetit mendor. Gjithashtu e çmojmë të rëndësishme një platformë komunikimi ndërmjet vendeve, që adreson çështjen e mobilitetit të forcës së punës në shëndetësi”, tha Kluge në takimin me ministren Manastirliu.

Takimi u zhvillua në kuadër të Asamblesë së 76-të të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që po mbahet në Gjenevë të Zvicrës, me pjesëmarrjen e drejtorit të përgjithshëm të OBSH, Dr. Tedros Adhanom, drejtorit të OBSH për Evropën, Dr. Hans Kluge, Ministra të Shëndetësisë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore, ku po diskutohet për sfidat e sistemeve shëndetësore, impaktin e pandemisë në shëndetin e popullatës dhe nevojën për të bashkuar forcat dhe forcuar kapacitetet, për të garantuar përgatitje dhe përgjigje të shpejtë ndaj emergjencave shëndetësore si dhe rolin e teknologjisë dhe inovacionit në aksesin e shërbimeve shëndetësore.

Top Channel