Udhëheqësi i grupit Wagner njofton largimin e trupave të tij nga Bahkhmuti

22/05/2023 08:38

Kreu i Wagnerit rus pretendon se tashmë trupat e tij e kanë vënë nën kontroll të gjithë territorin e Bakhmutit, ku luftohet egërsisht prej muajsh.

Tashmë, siç thotë Yevgeni Prigozhin, mercenarët e tij do të tërhiqen nga qyteti i kthyer në simbolin e rezistencës ukrainase dhe vendosmërisë së liderëve rusë për të shënuar një fitore të vogël në lindje të vendit të përballur që nga shkurti i vitit të kaluar me agresionin brutal të Moskës.

 “Wagneri nuk ka bërë më asnjë përparim dhe nuk ka kapur asnjë territor. Ne tashmë kemi vënë nën kontroll të gjithë territorin që kishim premtuar, deri në centrimetrin e fundit. Për këtë arsye, po ia dorëzojmë pozicionet tona Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë dhe do të largohemi nga zona e luftës në 25 maj”, u shpreh Prigozhin.

Por Kievi sërish mohon që Bakhmuti të ketë rënë tashmë në duart e rusëve. Gjenerali ukrainas Oleksandr Syrskyi deklaroi se trupat e tij po përparonin në periferi, duke iu afruar një “rrethimi taktik” të qytetit, i cili më parë ka qenë shtëpi e 70,000 banorëve.

Deklarata e tij në lidhje me përparimin e vazhdueshëm të forcave ukrainase përgjatë periferisë së qytetit u konfirmua nga zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar.Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte të dhënat nga fusha e betejës.

Top Channel