Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është arrestuar pak minuta pas mesnate.
Gjatë mëngjesit të sotëm atij i është komunikuar urdhri i arrestit dhe akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”
Sipas gazetares Dorjana Bezat, Beleri është arrestuar në restorantin e tij në Himarë dhe është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Vlorë rreth orës 00:15.
Belerin e kanë shoqëruar dy persona në drejtim të komisariatit Himarë dhe më pas mësohet se është dërguar drejt Vlorës. Bashkë me të janë shoqëruar avokati i tij personal dhe një tjetër pjesë e stafit të punës.
Në komisariatin e Himarës, Belerin e kanë pritur simpatizantë teksa bashkë me ta ka qenë edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili e quan sulm të pastër politik dhe bën thirrje që të tilla tentative, për pengimin e procesit elektoral të ndalen. Sipas Dules shoqërimi i sotëm i Belerit, është orkestruar enkas nga kryeministri Rama.
Pas tri orësh nga shoqërimi është liruar avokati personal i Fredi Belerit, të cilët nuk janë informuar përse janë shoqëruar. Ndërkohë Beleri është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe akuzohet për shitblerje të votës.
Rebani Jaupi, drejtori për rendin dhe sigurinë publike tha se Prokuroria e Vlorës ka pasur një procedim penal ndaj kandidatit për kryetar bashkie në Himarë.
Arrestimi i tij ka sjellë reagime nga politika shqiptare dhe ministritë greke. Gjithashtu ministri i Jashtëm grek ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama në lidhje me ngjarjen, ndërsa nuk dihen detaje nga biseda.
Sipas banorëve të Himarës dhe Dhërmiut, të cilët dëshmuan në polici, atyre u është premtuar nga Beleri 100 mijë lekë për një votë nëse votojnë për të më 14 maj.
Top Channel