Në dosjen hetimore, zbulohet organizimi i grupit kriminal që kishte në përbërje katër shtetas britanikë në rolin e informatorit dhe një porositës që ishte shtetas shqiptar.

Informatorët ishin afruar Nikulajt aq shumë sa kishin shkuar disa herë në hotelin e tij para ngjarjes. Madje, pamjet nga kamerat e sigurisë zbulojnë se i ndjeri kishte darkuar me turistët e huaj që në fakt rezultuan vrasësit e tij.

Vrasësit e huaj, ishin mbulim perfekt. Familjarë të Nikulajt i thanë Inside Story se madje Ardiani i kishte qerasur ata. Ai u kishte siguruar atyre edhe një taksi për tu larguar pas darkës. Në kamerat e sigurisë në një tjetër video, duket një nga bashkëpunëtorët që luan bilardo me djalin 13 vjeçar të Nikulajt. Ata kishin studiuar çdo detaj.

Katër nga gjashtë personat e kërkuar në Shqipëri të dyshuar për gjithë organizimin për të kryer vrasjen e Ardian Nikulajt u arrestuan pas disa ditësh në Britaninë e Madhe.

Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, të dy nga Bristol, Harriet Bridgeman, 27 vjeç, nga Bristol, dhe shqiptaro-britaniku Edmond Haxhia, 37 vjeç, u paraqitën në Gjykatën e Magjistraturës së Uestminster për procedurat e ekstradimit. Ata u lanë të gjithë në paraburgim. Thomas Mithan, me rol informator në vrasje ka treguar motivet e udhëtimit në Shqipëri.

“Çfarë dreqin është kjo? Unë shkova në Shqipëri për pak ditë. Unë nuk doja të ngatërrohesha me atë histori prandaj u ktheva përsëri në Angli. Unë shkova me Harriet në Shqipëri por vendosa të kthehesha” është shprehur Thomas Mithan.

Kjo është një specifikë shumë e rrezikshme pasi duhet të presim se grupet kriminale ose edhe individë nëse do të duan të kryejnë një vepër penale në Shqipëri paskan mundësi të kryejnë edhe grupe kriminale të huaja”, tha Beci.

Të afërmit e Nikulajt tregojnë për Inside Story se djali i vogël i Ardianit u kishte thënë familjarëve të tij se i kishte ngjallur frikë një britanik i cili ishte afruar befas me një birrë në dorë. Më pas fëmija kishte vazhduar tregimin prindërve të tij se ishte miqësuar me të pasi kishte filluar të komunikonte lirshëm në gjuhën angleze. Më pas, ata luajtën bilardo së bashku.
Në këtë sipërmarrje kriminale, akuzohet si porositës Edmond Haxhia.

Ai, është nipi i Elton dhe Klodian Lekstakaj, të cilët ishin prej vitesh në gjak me familjen Nikulaj. I gjithë plani për vrasjen e biznesmenit kishte nisur së paku tre muaj më përpara. Grupi i informatorëve mes të cilëve edhe një vajzë, porositësi dhe vrasësi portugez kishin ardhur në periudha të ndryshme në Shqipëri mes shkurtit dhe Prillit.

Pamjet nga Aeroporti “Nënë Tereza” tregojnë se Edmond Haxhia i priti të gjithë bashkëpunëtorët. Kamerat e sigurisë tregojnë Haxhinë në Shkurt 2023 teksa pret portugezin Ruben Saraiva në një mjedis që ata mendonin se nuk do të mund të kapej nga kamerat e sigurisë.

“Nëse do të kishim inteligjencë, policore, ata patjetër që duhet të kishim edhe infrastrukturë, teknologji, unë di që shqipëria nuk i ka ende ato kapacitete dhe inteligjencë që të jetë në gjendje të kontrollojë kufinjtë e saj. Të monitorojë me kamera inteligjente që do të monitorojnë personat e skeduar, apo janë shpallur në kërkim apo persona me precedent”, u shpreh Fatjon Softa.

“Ajo që nuk dha ndihmë dhe fatkeqësisht nuk u përdor ishte sistemi satelitor, Shqipëria ka investuar 6 mln euro, dy satelitë Albania 1 Albania 2 për të kontrolluar territorin”, u shpreh eksperti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA