Fiks Fare/ “Po na gënjejnë dita-ditës”, si po mashtrohen mijëra fermerë të firmës gjysmë shtetërore për të marrë paratë

10/05/2023 20:40

Mijëra fermerë nga qarku i Korçës, Elbasanit dhe Beratit janë në pritje për të marrë paratë e mundit dhe djersës nga “Mika Korça”, firma gjysëm shtetërore, drejtuesit e së cilës janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

Gazetarët e Fiks Fare udhëtuan në fshatrat e Pogradecit, Maliqit dhe Korçës, me kërkesë të dhjetëra banorëve që ankohen për firmën e mbledhjes së duhanit, e cila nuk u ka dhënë paratë prej shumë vitesh.

Kjo problematikë është trajtuar shumë herë në emisionin Fiks Fare, duke filluar nga vitit 2017, por që ende s’ka marrë asnjë zgjidhje.

Denoncimi i parë është bërë në vitin 2017 në Belsh, ku 2000 fermerët u ankuan se s’kishin marrë paratë e shitjes së duhanit nga firma, ku aksioner me rreth 40 % të aksioneve është edhe Ministria e Ekonomisë. Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2020, Fiksi iu rikthye kësaj problematike, në fshatin Pocestë në Maliq, që u ankuan për të njëjtën problematikë. Në këtë kronikë, ish-Prefekti i Korçës Dhori Spirollari premtoi zgjidhje të shpejtë. Fiksi transmetoi edhe ankesën e fermerëve të fshatit Kalivaç të Pogradecit në dhjetor të vitit 2021, ndërsa sërish institucionet premtuan se “do ketë zgjidhje për 3 muaj”.

Por, a u zgjidh kjo problematikë?! Gati 1 vit e gjysëm pas këtij premtimi, sërish fermerët s’kanë marrë zgjidhje. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan me dhjetëra banorë të prekur, që bëjnë sërish të njëjtin apel; na jepni paratë, firma është shtetërore! Fiksi bisedoi me dhjetëra fermerë, të fshatit Pocestë në Maliq, të cilët tregojnë se kanë shumë të ndryshme për të marrë nga firma “Mika Korça”.

Sipas tyre, problemet kanë filluar në vitit 2016 dhe 2017, ku pasi kishte depozituar sasi të konsideruesme duhani në këtë firmë, s’morën paratë e hakut dhe djersës së tyre. Dikush ka 50 mijë lekë të rinj, të tjerë 100 mijë lekë, të tjerë 500 mijë apo edhe 700 mijë. Sipas tyre, në të gjithë Shqipërinë, në 3 qarqe Berat, Elbasan dhe Korçë, janë rreth 3000 fermerë pa marrë paratë.

Sipas tyre, kanë shkuar me dhjetëra herë, por asnjëherë s’kanë marrë mbrapasht paratë, megjithëse iu është premtuar se do t’i marrin. “Se kuptojmë pse na gënjejnë. Na thonë do t’i merrni, se shteti ka 40 % të aksioneve, por s’po i marrim asnjëherë” thonë ata. Kanë bërë letra pafund, i kanë depozituar te firma por sërish asnjë qindarkë. Sipas ekstraktit të QKB-së, shteti ka rreth 40 % të aksioneve, aksionet e tjera një firmë greke. Në ekstrakt është edhe një numër telefoni, ku gazetarët tentuan të lidhen në telefon, por përgjigjet një person dhe thotë “se di pse ma kanë vënë këtë numër, s’kam lidhje me ‘Mika Korça’”.

Fiksi telefonon edhe disa numra të tjerë që kanë qenë përgjegjës, por askush nuk përgjigjet. Gazetarët shkuan edhe në godinën e “Mika Korçës” në qytetin e Korçës, por ishte e mbyllur dhe të vetmit që frymonin ishin disa qenë.

Pas kësaj “errësire”, gazetarët bashkë me një fermer shkuan te Prefekti i Korçës. Në kronikat e mëparshme të Fiksit, ish-prefekti Dhori Spirollari kishte premtuar zgjidhjen e kësaj problematike, teksa do të fliste edhe me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Por, edhe pas këtij premtimi, fermerët s’kanë marrë paratë.

Gazetarët tentuan që të marrin në intervistë Prefektin e ri, Nertil Jole, por s’ishte në zyrë. Punonjësit e Prefekturës tregojnë një letërkëmbim të gjatë mes Prefekturës së Korçës dhe Ministrisë së Ekonomisë.

Letrat kanë filluar që në vitin 2016 e deri në ditët e sotme. Por, asnjë qindarkë s’po jepet.
Në një dokument ministria thotë se: “Ka ndjekur me shqetësim dhe në vazhdimësi situatën e vështirë ekonomike-financiare që po kalon ‘Mika Korçë’ ku MFE është aksionere me 37.98 % të aksioneve.

MFE ka kërkuar pranë Gjykatës së Korçës fillimin e procedurave të falimentit të shoqërisë. Pas vlerësimit të gjykatës për shpalljen në faliment, kjo e fundit cakton administratorin e falimentit, i cili do të jetë struktura që do të fillojë shitjen e të gjitha asteve të shoqërisë për likuidimin e kreditorëve dhe për rrjedhojë konkludojmë drejt një zgjidhje përfundimtare të kësaj situate.

Nuk ka hapësirë ligjore që ortaku shtetëror në minorancë të përshpejtojë procedurën e vendosjes së likuidatorit, pasi kjo çështje është tashmë në gjykatë”.

Pra, asnjë zgjidhje! “Se kuptoj pse na gënjejnë, do t’i merrni, do t’i merrni! Kur këta s’do na japin gjë. Ato janë mundi dhe djersa jonë dhe përderisa është shteti mbrapa, të na kthejnë paratë. S’kemi punë me gjykata, me ankande apo të tjera. Ne duam vetëm paratë tona” thotë fermeri.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA