Shembet gropa që hapi në rërë, varroset i gjallë adoleshenti në plazh

09/05/2023 10:11

Një djalë 17-vjeçar vdiq pasi gropa që hapi në rërë në një plazh, u shemb mbi të.

Djali adoleshent u bllokua nën disa metra rërë në Cape Hatteras National Seashore në Frisco, Karolina e Veriut, të shtunën.

Rojtarët e bregut të detit morën një telefonatë rreth orës 14:00, për një adoleshent të bllokuar në një vrimë, që ishte bërë në një zonë prapa dunave të Bregdetit të Jashtëm, sipas Shërbimit të Parkut Kombëtar (NPS).

Familja dhe miqtë e adoleshentit po e kërkonin dhe e zbuluan të varrosur nën rërë. Sipas NPS, shembja besohet të jetë për shkak të pjesëve të një dune ngjitur që kanë rënë në vrimë.

Rojet bregdetare dhe anëtarët e familjes e nxorën djalin jashtë dhe i dhanë ndihmën e shpejtë, por përpjekjet për ta ringjallur, nuk ishin të suksesshme.

“Cape Hatteras National Seashore ofron ngushëllimet tona për familjen dhe miqtë e tij. Ne i nxisim vizitorët të mos hapin gropa të thella në plazh, për shkak të rrezikut që paraqesin për plazhistët”, tha mbikëqyrësi i Parqeve Kombëtare të Karolinës së Veriut Lindore, David Hallac.

Në maj të vitit të kaluar, adoleshenti Ian Spendlove u varros i gjallë në Parkun Shtetëror Coral Pink Sand Dunes në Jutah. Familja e tij dhe vizitorët e parkut u përpoqën ta nxirrnin jashtë, policët mbërritën në vendngjarje me lopata. Ai u gjet 1.8 metër nën rërë, pa ndjenja, pas 23 minutash gërmimi.

AI u transportua me helikopter në një spital dhe u shpall i vdekur pasi nuk tregoi aktivitet të trurit.

Top Channel