Veliera e Durrësit, mbërrijnë nga Italia materialet që do të veshin strukturën metalike të velës

08/05/2023 15:20

Materialet për mbulimin e velës, pjesës më të rëndësishme dhe sfiduese për realizimin e projektit të Velierës në Durrës kanë mbërritur këtë fillim jave.

Të ardhura nga Italia, materialet e posaçme do të veshin strukturën metalike të velës. Procesi konsiderohet mjaft delikat dhe parashikohet të zgjasë rreth dy muaj, pas nisjes së punimeve. Projekti i Velierës për rregullimin e sheshit para portit të Durrësit dhe përbri Torrës Veneciane u realizua në vitin 2016 nga një studio shqiptare dhe një studio italiane arkitekture.

Punimet për rigjallërimin e këtij sheshi u shoqëruan nga debate të shumta dhe kohët e fundit punimet nga dy firmat realizuese të projektit ishin ndërprerë. Mbërritja e këtyre materialeve i hap dritën jeshile vazhdimësisë për përfundimin e projektit që synon të ofrojë një shesh të ri publik për qytetin dhe vizitorët e tij.

Tenda e madhe prej guri e konceptuar si një velë do të krijojë hije dhe mbrojtje për sheshin poshtë saj ku parashikohet të organizohen edhe shfaqje të ndryshme në ambient të hapur, po njëkohësisht të mbuluar.

Top Channel