Ka disa vite që përveç Ismail Kadaresë, publiku grek lexon të përkthyera në greqisht nga disa shtëpi botuese, edhe shkrimtarë të tjerë të njohur shqiptarë.
Në Festivalin e 19 Ndërkombëtar të Selanikut, më dinjitozi në Ballkani, që ka filluar prej vitit 2004 dhe që rikthehet fuqishëm pas pandemisë, zë vend të veçantë prezantimi nga shtëpia botuese greke “Plithora” i librit “Valsi i Lumturisë”, të shkrimtarit të njohur shqiptar Ylljet Aliçka.
“Greqishtja është gjuha e gjashtë, është përkthyer në disa vende. Në disa ka pasur sukses, në disa jo. Në Itali është pritur mirë sepse ishte tema me ëndrrën italiane me emigracionin dhe këtu me sa po shoh kam rënë me një botues aktiv, i cili shpreson se do pritet mirë”, thotë Açka.
Ajo që bën interesante librin, është tema e marrë nga një ngjarje reale e emigracionit, nga historia e pionerëve të parë të emigrimit, familja Popa, që u fut në ambasadën italiane, në ditët e zisë kombëtare pas vdekjes së Enver Hoxhës.
“Tema është pak a shumë me emigracionin. Gjë që më ka bërë përshtypje ,keqkuptimi reciprok i imazhit të shqiptarëve ndaj perëndimit dhe izolimit, shkërmoqja e shpresave të mëdha që patën për “Edenin”, që do gjenin “oazin” në botë dhe nga ana tjetër e kundërta, ky keqkuptimi i madh ose imazhi i gabuar sterotipik ,klishe i Perëndimit ndaj shqiptarëve”, shprehet Ylljet Aliçka.
Αutori përshkruan me mënyrën e vet tepër të veçantë deri në satirë, traumat që solli emigracioni në nivelin jo vetëm individual,psikik të shqiptarëve, por edhe atë institucional, duke dhënë tepër realisht, faktin se si gjithë ajo shpresë e madhe e kësaj familjeje për gjetjen e lumturisë në Perëndim, u shkërmoq edhe pati një fund gati gati tragjik.
Festivali Ndërkombëtar i Librit në Selanik është një ngjarje e rëndësishme në të gjithë Ballkanin dhe tashmë është bërë traditë të prezantohen me botimet e tyre të përkthyera në greqisht edhe shkrimtarë shqiptarë.
Aliçka është shkrimtari i pestë shqiptar, të cilit i botohen libra në gjuhën greke dhe kjo tregon tashmë ndjeshmërinë dhe vëmendjen e shtëpive botuese ndaj letërsisë cilësore shqiptare.
Top Channel