“Ukraina na goditi me dronë”/ Rusia: Arritëm të zmbrapsim sulmin

07/05/2023 11:29

Autoritetet ruse në Krimenë e aneksuar, kanë thënë se e kanë zmbrapsur një sulm ukrainas me dron, në qytetin e Sevastopolit.

Krimeja është gadishull ukrainas, që është aneksuar nga Rusia më 2014.

Ky është vetëm një prej sulmeve të supozuara ukrainase me dronë, dhe tentimeve të sabotazhit, para festimeve të 9 majit. Në këtë ditë, Rusia shënon fitoren e forcave sovjetike ndaj nazistëve, në Luftën e Dytë Botërore.

Në Sevastopol, ku gjendet flota ruse, guvernatori Mikhail Razvozhayev, ka thënë se përgjatë natës janë nisur shumë sulme me dronë.

“Mbrojtja kundër-ajrore dhe njësitet për mbrojtje, kanë zmbrapsur një sulm të ri”, në qytet, ka thënë ai të dielën.

Sipas tij, Ukraina i ka nisur më shumë se 10 dronë në qytet, duke shtuar se dy janë rrëzuar mbi det, dhe të tjerë e kanë humbur kontrollin.

“Nuk është dëmtuar infrastruktura e qytetit”, është shprehur ai.

Raportimet për këto sulme vijnë teksa lufta e Rusisë në Ukrainë hyn në muajin e 15-të.

Top Channel