Transportonin emigrantë të paligjshëm/ Në pranga 27-vjeçari në Himarë, bashkëpunëtori në kërkim

02/05/2023 15:35

Një 27-vjeçar nga Shkodra ka rënë në pranga dhe një 32-vjeçar është shpallur në kërkim në Himarë, pasi transportonin emigrant të paligjshëm kundrejt fitimit.

Në kuadër të operacionit “Border 6”, u arrestua në flagrancë N. K., 27 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi A. B., 32 vjeç, banues në Shkodër.

Gjatë operacionit, në fshatin Lukovë, Himarë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të dy automjeteve “Range Rover”,  me të cilat po transportoheshin emigrantë.

Sapo kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia, drejtuesit e automjeteve, shtetasit N. K. dhe A. B. janë larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar.

N.K. ka tentuar t’i shmanget përgjegjësisë ligjore, duke zbritur nga automjeti emigrantët që po transportonte, por është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë. Shtetasi A. B. ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte pjesën tjetër të emigrantëve dhe duke përfituar nga terreni i vështirë është larguar me shpejtësi në këmbë.

2 automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel