Emmanuel Macron përballet sot me protesta masive në të gjithë Francën, në një kohë kur po kërkon ta bashkojë vendin e përçarë nga reforma e tij e shume diskutuar e pensioneve, që ka shkaktuar zemërim e trazira sociale.
Muajin e kaluar shefi i Elizesë firmosi ligjin për rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 64, pavarësisht grevave disa mujore kundër nismës. Macron shpresonte në një fashitje të pakënaqësisë popullore të kthyer në njërën prej sfidave më të mëdha të mandatit të tij të dytë. Por protestuesit e kanë treguar qartë se çfarë mendojnë për këto përpjekje të tij, duke përplasur nëpër rrugë tenxhere e tiganë, ndërsa në një ndeshje futbolli së fundi që ai ndoqi së fundi, e pritën me kartonë të kuq.
Sindikatat dhe opozita vendase shpresojnë për një pjesëmarrje masiven në tubimet, përmes të cilës t`i tregojnë kreut të shtetit se kundërshtia e tyre ndaj reformës së tij, do të vazhdojë.
Qeveria komuniste e Kubës ndërkohë vendosi të anulojë paradën tradicionale të 1 majit për shkak të mungesës drastike të karburantit. Çdo vit qindra mijëra njerëz mblidhen nga i gjithë ishulli për të mbushur Sheshin e Revolucionit në Havana në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Kjo e sotmja përben herën e parë që nga revolucioni i vitit 1959 që festimet anulohen për arsye ekonomike. Këto javët e fundit, radhë të gjata njerëzish janë krijuar në pikat e karburanteve në mbarë Kubën ku shoferët presin me ditë të tëra për t’u furnizuar.
Në fillim të muajit, presidenti Miguel Diaz-Canel tha se Kuba po merrte vetëm dy të tretat e karburantit që i nevojitet, duke shtuar se furnitorët nuk po përmbushnin detyrimet kontraktuale.
Dërgesat e naftës së papërpunuar me cilësi më të lartë nga Venezuela, ofruesi më i madh i karburantit në Kubë, kanë rënë me 50% vitet e fundit, ndërkohë qe edhe ajo përjeton probleme të rënda dhe e ka gjithnjë e më të vështirë të subvencionojë aleatin e saj socialist.
Top Channel