“Open Data Albania” artikull analizë mbi efekte të zhvlerësimit të monedhave të huaja kundrejt lekut

29/04/2023 14:47

Forcimi i lekut ndikon pozitivisht për huamarrësit në valutë të huaj Shteti si Huamarrës.

Stoku i borxhit të jashtëm bruto arriti 9.8 miliardë euro në fund të 2022. Rënia mbi 8 përqind në vlerën e euros shoqërohet me uljen e detyrimeve, të shprehura në lekë, për stokun e borxhit të jashtëm, me një përfitim rreth 90 miliardë lekë.

Peshën kryesore, 48% të borxhit të jashtëm e mban qeveria, përfituesi kryesor nga forcimi i lekut (rreth 44 miliardë lekë më pak detyrime për borxhin e jashtëm), pasi të ardhurat krijohen në lekë dhe pagesat kryhen në euro. Përfitim tjetër afatshkurtër për qeverinë është edhe raportimi në euro i treguesve të përmirësuar fiskal dhe makroekonomik, si psh treguesit e të ardhurave dhe produktit të brendshëm bruto për frymë, apo treguesi i borxhit të jashtëm ndaj produktit të brendshëm bruto. Përfitues janë edhe bizneset dhe familjet që kanë kredi në valutë dhe të ardhura në lekë. Kredia në valutë në banka arriti mbi 3 miliardë euro në Shkurt 2023, në peshë 48 përqind e totalit të kredisë prej 6.3 miliardë euro.

Forcimi i lekut ul detyrimin për këstin mujor në lekë, të shlyerjes së kredisë në valutë nga Qeveria, me rreth 27 miliardë lekë në total. Përjashto raste kur palët kanë kreditim ku parashikojnë rishikim të përllogaritjes së këstit sipas Normës Bazë. Duke qenë se normat e interesit të kreditimit janë rritur ndjeshëm në 6-mujorin e fundit, efektet pozitive nga kursi i këmbimit netohen pjesërisht nga efektet negative të normave të interesit për bizneset/individët.

Forcimi i lekut ka efekt pozitiv në importet e mallrave dhe shërbimeve,të cilat bëhen më konkurruese në tregun e brendshëm, për shkak të rënies së çmimeve nga kursi i këmbimit. Për vitin 2022, bilanci tregtar i pagesave (importe minus eksporte) ishte 4.3 miliardë euro. Përfitimi në favor të importuesve mund të përllogaritet rreth 38 miliardë lekë në total, por ndikimi tek konsumatorët nuk pritet të jetë i ngjashëm, pasi tregtarët nuk i përcjellin menjëherë diferencat në çmim tek konsumatori final.

Forcimi i lekut dhe favorizimi i importeve rëndojnë kompanitë dhe prodhimin vendas,si në aspektin e përballimit të konkurrencës së shtuar nga importi, ashtu edhe për ruajtjen e tregut në eksport, sidomos në sektorët që e kanë të vështirë të rrisin çmimet për të kompensuar humbjen. Efekti afatmesëm do të jetë një rritje e konkurrencës së produkteve të importit, duke vështirësuar eksportin e prodhimeve vendase dhe përkeqësimin e bilancit të pagesave.

Forcimi i lekut mund të dobësojë sektorin turistik shqiptar, pasi turistët do të kenë 8 përqind më pak fuqi shpenzuese në Shqipëri, krahasuar me vitin e kaluar.Nga ana tjetër, situata do të jetë më e favorshme për shqiptarët që udhëtojnë e pushojnë jashtë vendit.

Negativisht ndikohen edhe investimet e huaja direkte dhe të ardhurat nga remitancat. Në 2022, investimet e huaja direkte ishin 1.2 miliard euro dhe të ardhurat nga remitancat 840 milionë euro. Humbja nga kursi i këmbimit përllogaritet të jetë në rreth 10 miliardë lekë për investimet e huaja direkte dhe 7 miliardë lekë për familjet që jetojnë me remitancat.

Efektet janë negative gjithashtu për bizneset, organizatat dhe individët që operojnë në Shqipëri, por burimin e të ardhurave e kanë në valutë. Një individ që përfiton të ardhura në valutë në Shqipëri, ka humbje nga kursi i këmbimit mbi 8 përqind, përtej efekteve negative nga inflacioni, duke e ulur në total fuqinë blerëse më shumë se 15 përqind.

Kursimtar në Euro. Forcimi i lekut ndikon negativisht vlerën e kursimeve dhe depozitave në monedhë të huaj.Stoku i depozitave në valutë arriti 6.5 miliardë euro, në peshë rreth 57 përqind e totalit të depozitave në sistem bankar. Nënçmimi i valutave zvogëlon kundravlerën në lekë të depozitave dhe kursimeve në valutë, për një vlerë të përllogaritur rreth 58 miliardë lekë. Individët depozitues nuk e ndjejnë në periudhë afatshkurtër efektin negativ, për shkak të euroizimit të ekonomisë së brendshme. Përsa kohë nuk tërhiqen depozitat nga sistemi bankar, efekti do të jetë pozitiv për bankat depozituese, të cilat njohin një detyrim në lekë më të ulët për depozitat në valutë, kundrejt humbjes që kanë nga kreditimi në valutë. Materializimi i humbjes për individët dhe bizneset ndodh në rast të këmbimit ose përdorimit të depozitave në valutë.

Shteti Së fundmi, forcimi i lekut ndikon negativisht edhe rezervat ndërkombëtare të Shqipërisë. Stoku i rezervës valutore është rreth 5.3 miliardë USD në Shkurt 2023, me një humbje të përllogaritur në lekë rreth 40 miliardë lekë nga kursi i këmbimit. Këto janë humbje të parealizuara, por përkeqësojnë treguesin e rezervave dhe kapitalit të Bankës së Shqipërisë, duke shtuar nevojën e blerjes së valutës në tregun e brendshëm.

Artikullin mund ta lexoni te Publikuar ne portalin Open Data Albania Efekte të Zhvlerësimit të Monedhave të Huaja kundrejt Monedhës Kombëtarë, ndikime të mundshme në ekonomi Prill 2023. Historiku 2003 – 2023 – Open Data Albania (ndiqparate.al)

Top Channel