“Jeto me xhaz, jeto me saksofon”. Kështu titullohej koncerti i kuartetit “Valentin Rijbin” që riktheu mbrëmjen e kaluar në skenën e teatrit të Durrësit instrumentistin e mirënjohur Dashnor Hoxha.

Së bashku me tre kolegë dhe miq të tij nga Tirana dhe Elbasani, ai formoi kuartetin e sakseve që mban emrin e maestros rus që jetoi në Shqipëri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

“Emrin e kuartetit e kemi vënë për nder të një klarinetisti dhe saksofonisti të jashtëzakonshëm që ka kontribuar në Tiranë dhe në Durrës… ai ka influencuar shumw breza. Saksofonist unik. Tingull kristal,  hyjnor”, thotëDashnor Hoxha.

Dashnor Hoxha, apo Dashi i Durrësit siç njihej në rrethet artistike të Tiranës, u kthye në ikonë të saksofonit dhe muzikës moderne që luhej para viteve ’90 në Shqipëri.        

“Dashi ka qenë një instrumentist jashtëzakonisht i mirë. Si në klarinetë, po sidomos në saks ka shkëlqyer”, shprehet Leonard Topi.

“Dashi ka qenë modeli për ne. Sidomos në mungesën e repertorit për shkak të kufizimeve të kohës, ai ishte një pikë referimi për të gjithë ne brezat që vinim më pas”, tregon Bledar Caci.     

‘’Të punosh me muzikantë të tillë është fat i madh sepse mëson dhe merr shumë. Në një kuartet saksash, ku ofrohen shumëngjyra… një eksperiencë super”, tregon Met Gurra.

Kuarteti i saksofonistëve është ushtruar intensivisht për të ardhur para publikut durrsak me këtë koncert plot ngjyra dhe ritëm.

“Është publik i jashtëzakonshëm. Ashtu duket i vështirë, por po të vlerësoi publiku durrsak, me të vërtetë ke bërë punën siç duhet”, thotë Hoxha.

Teatri i Durrësit e nderoi me certifikatën e mirënjohjes për artin dhe kontributin e dhënë ndër breza, ndërsa artdashësit e shumtë durrsak dhe ata të ardhur nga Tirana u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën gjatë katërshen e profesionistëve të saksofonit shqiptar.

Dy prej tyre, Dash Hoxha dhe Leonard Topi ndonëse kanë hyrë në dekadën e shtatë të jetës, nuk dorëzohen. Ata premtojnë se do të jenë gjithnjë pranë publikut.

Është investim i jashtëzakonshëm. Nuk është kollaj të bësh diçka të bukur. Pse? Sepse kush lind artist, vdes artist.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA