Pas marrëveshjes, SHBA nis nëndetëset bërthamore drejt Koresë së Jugut

27/04/2023 11:44

Për të parën herë në dekada të tëra, Shtetet e Bashkuara do të nisin nëndetëse të armatosura bërthamore drejt Koresë së Jugut- pjesë e një marrëveshjeje të re që sinjalizon angazhimin e Uashingtonit për të mbrojtur Seulin kundër kërcënimeve nukleare në rritje nga Koreja e Veriut.

Planet për të ankoruar nëndetëse me raketa balistike në Korenë e Jugut, gjë që nuk kishte ndodhur më që prej viteve 1980, kryesojnë përpjekjet amerikane për t`i bërë më të dukshme veprimet e administratës së SHBA-së kundër regjimit të Kim Jong Un-it, thanë zyrtarë në Shtetet e Bashkuara.

Washingtoni zotohet po ashtu t’i japë aleatit të vet një rol më të madh në çdo përgjigje ndaj një sulmi të mundshëm atomik. Nisur nga kjo, Koreja e Jugut ra dakord të mos krijojë një program të vetin bërthamor. Marrëveshja është pjesë e të ashtuquajturës Deklarata e Uashingtonit. Ajo u njoftua teksa Presidenti Joe Biden mirëpriti homologun korean-jugor Yoon Suk Yeol në një vizitë shtetërore për të festuar 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe për të diskutuar të ardhmen e aleancës.

Në fjalën e tij, Biden iu referua ujdisë së vitit 1953, të nënshkruar në fund të Luftës Koreane, nëpërmjet së cilës SHBA angazhohet ta ndihmojë Korenë e Jugut të vetëmbrohet, në veçanti nga Koreja e Veriut.

“Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjellët është e çeliktë, dhe përfshin angazhimin për masa të zgjeruara parandaluese. Deklarata e Washingtoni forcon bashkëpunimin e aleatëve në zmbrapsjen e një sulmi koreano-verior”, u shpreh Biden.

Dokumenti i administratës së tij të vitit 2022 për Rishikimin e Gatishmërisë Bërthamore, parashikon se një sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve dhe partnerëve është i papranueshëm dhe do të rezultojë në fundin e regjimit që e kryen atë.

Seuli ndërkohë do të “ruajë statusin jo bërthamor dhe do të vazhdojë t’u përmbahet të gjitha kushteve si palë e Traktatit të Mospërhapjes”.  Ky traktat, të cilin Koreja e Jugut e ratifikoi në vitin 1975, ua ndalon vendeve anëtare prodhimin e armëve bërthamore.

Top Channel