Edhe pse apelet e ndërkombëtarëve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit i drejtohen në të njëjtën masë si Prishtinës, ashtu edhe Beogradit, presidentja e Kosovës, pengesat i sheh tek pala tjetër.
Për këtë arsye, ajo kërkoi nga BE-ja dhe aleatë të tjerë që t’i ushtrojnë Serbisë për këtë çështje, dhe ta detyrojnë të zbatojë detyrimet që burojnë nga marrëveshja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Osmani tha se Serbia me veprimet e fundit ka bërë “shkelje flagrante” të dy neneve të Marrëveshjes drejt normalizimit, që u arrit në fund të shkurtit në Bruksel, dhe të aneksit të saj, që u arrit një muaj më vonë në Ohër. Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve. Ajo garantoi se në raundin e ri të dialogut, që mbahet më 2 maj në Bruksel, Kosova do të ketë qasje konstruktive dhe të hapur.
“Se cilat do të jenë veprimet e Serbisë, pak a shumë mund t’i nuhasim nga deklaratat e fundit, e mbi të gjitha nga veprimet të cilat kanë qenë shkelje e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër. Siç e dini, neni 4 i kësaj marrëveshjeje parashikon që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e saj të hënën në Këshillin e Europës, por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar qartë këtë shkelje flagrante. Natyrisht, edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Kosovë, është edhe shkelje e nenit 2 të kësaj marrëveshjeje”, tha Osmani.
Në takimin e Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës, Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës në këtë organizatë europiane. Autoritetet serbe madje kanë paralajmëruar se do të përdorin masën e reciprocitetit ndaj shteteve që nuk respektojnë integritetin territorial të Serbisë. Sipas Kushtetutës serbe, Kosova figuron pjesë e territorit të Serbisë.
Top Channel