Nga mesnata, në Sudan ka hyrë në fuqi një armëpushim 72 orësh, i treti që palët arrijnë që prej shpërthimit të dhunës më herët këtë muaj dhe shpresat janë që ky pushim zjarri të mos ketë fatin e dy të tjerëve përpara tij, për të respektohet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pohoi se marrëveshja mes ushtrisë së rregullt të vendit dhe grupit paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, u arrit pas 48 orësh negociata. Kreu i diplomacisë amerikane shprehu njëkohësisht shqetësimin nga përfshirja e grupit rus Wagner në Sudan.
“Na shqetëson thellësisht angazhimi në Sudan i grupit Wagner të themeluar nga Yevgeny Prigozhin. Ky është një element të cilin e gjejmë në vende të ndryshme të Afrikës, e aty ku shkon, sjell me vete vdekje e shkatërrim”, tha Blinken.
Sudani, ku që prej fillimit të luftimeve në 15 prill janë vrarë të paktën 400 vetë, ka qenë prej kohësh një qendër e vazhdueshme krizash, e aty ka shpesh përplasje të armatosura. Kjo gjë ngjall frikë për një përhapje të mundshme të konfliktit në vendet fqinj, çka ndodh shpesh në rajon.
“Kur në njërin nga këto vende shpërthen një konflikt, gjithmonë është i prekur edhe vendi fqinj, qoftë Egjipti, Libia, Çadi, Republika Afrikanoqendrore, Etiopia, Sudani Jugor, Eritrea- duke parë nga Deti i Kuq, Arabia Saudite,” thonë ekspertët.
Në Sudan, i cili prej vitesh ndodhet në gjendje të pastabilizuar politike, prej një jave luftojnë dy gjeneralët më të fuqishëm dhe njësitë e tyre për të sunduar vendin. Forcat e gjeneralit, Abdel Fattah al-Burhan kundër milicëve RSF të Mohammed Hamdan Daglos. Por me lufta e brendshme atje rrezikon destabilizimin e një rajoni të tërë.
Shtetet përreth kanë interes të ruajnë marrëdhënie të mira me Sudanin, por sidomos Sudani Jugor, që e shpalli pavarësinë nga veriu në 2011-tën. Ky i fundit varet nga nafta si burim kryesor të ardhurash, dhe tubacione kalojnë nëpër Sudan drejt Detit të Kuq, ndaj dhe i intereson të ruajë marrëdhënie sa më të mira me të.
Top Channel