“Politika tërheq më të këqijtë dhe korrupton më të mirët”/ Rama “sfidon” mjekun kirurg në një podcast “tek e tek”

25/04/2023 10:51

Kryeministri Edi Rama ka ftuar në podcast-in e kësaj jave “Flasim”, ekipin e mjekëve të QSUT që ishin në sallën e operacionit për të marrë pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e apendicitit.

Mes mjekëve të pranishëm ishin të ftuar mjekët kirurg Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë dhe njëherazi Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Arben Gjata, Prof. Arben Beqiri, Dr. Dritan Rehovica, si dhe Shefi i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit Prof. Krenar Lilaj, dhe mjeku anestezist Prof. Ass. Saimir Kuçi.

Gjatë bisedës Rama falenderoi mjekët që arritën në konsensus për ta nxjerrë sa më shpejt nga spitali, duke theksuar se megjithëse shpesh thuhet që apendiciti “nuk është nonjë gjë, prapë duhen marrë gjërat me karar“.

Ndërsa njëri prej mjekëve tha në formë batute se “pesë doktorë të ulur me kryeministrin e Shqipërisë nuk i shpëtojnë dot politikës, sado që të dëshirojnë”, Rama përgjigjet se “ti në shtëpi nuk i shpëton dot politikës as me gruan”.

Megjithatë, Prof. Arben Beqiri shprehet se është mirë që mjekët t’i qëndrojnë larg politikës pasi “politika ka tendencën të tërheq më të këqijtë dhe korruptojë më të mirët”. Ky koment është marrë në formë sfide nga kreu i qeverisë Edi Rama, i cili i kërkoi profesorit një podcast tek e tek në një moment jashtë zgjedhor sepse debate të tilla kaq interesante janë ato që i mungojnë politikës sot.

Pjesë nga diskutimi:

Rama: Ajo që dua t’ju falenderoj dhe një herë për ta mbyllur është që edhe konsensusi që arritët për të më nxjerrë shpejt nga spitali se aty ,mund të ketë dhe një përplasje për të më mbajtur për mos më nxjerrë atje ku po zhvillohet ajo.

Prof. Arben Gjata: Në fakt me leje ka dalë, sepse natën e fundi donte të dilte që më përpara po unë nuk të kam lënë të dalësh atë natë. Sa të bënte 24 orë e të ikte në shtëpi, se si mund të dalësh.

Rama: Se kisha dëgjuar që apendiciti nuk është ndonjë gjë, shkon atje, bën një kështu dhe të nesërmen je në këmbë dhe del. Sot për shembull, prapë me karar.

– Do thoja që kjo historia e Vlorës është ajo që 5 doktorë me kryeministrin e Shqipërisë nuk i shpëtojnë dot politikës, sado që të dëshirojnë.

Rama: Jo nuk i shpëtojnë dot, po ti në shtëpi nuk i shpëton dot politikës as me gruan.

Prof. Arben Beqiri: Nga ana tjetër, ne doktorët preferojmë që ti rrimë larg politikës për atë shprehjen në thonjza që thotë, “politics attracts the worst and corrupts the best”. Pra ka tendencën për të tërhequr më të këqijtë e me korruptuar më të mirët.

Rama: Ja, këto tani nuk pranoj fare.

Prof. Arben Beqiri: Kjo është e qartë, nuk biem në konsensus.

Rama: Jo, po mos të ishte politika…

Prof. Arben Beqiri: Sigurisht dhe do të shtoja që ne mund të shërojmë një njeri dhe politikanët me vendimet e tyre të drejta mund të shërojnë shumë dhe kjo sigurisht varet nga vendimet e drejta. Por zhvillimi i shoqërisë, ka disa pikëpamje për zhvillimin e saj. Po themi, me të vërtetë ka qenë keq por disa do të thonë, cila është ideja jonë, e disave prej nesh për zhvillim? Me ju lënë njerëzve sa më shumë dorë për të vendosur. Çfarë do të thotë? Shteti të marri përsipër të bëjë sa më pak. Nuk po them të bëjmë mirë apo keq, në çdo alternativë, por është shumë e rëndësishme që t’ju lësh njerëzve të jenë përgjegjës vet për vendimet e tyre, për zgjedhjen e tyre, financimin e tyre.

Rama: Profesor, nëse je dakord, unë jam i gatshëm të bëjmë një podcast tek e tek, në një moment jashtë zgjedhor sepse do ishte shumë interesante dhe në fakt këto lloj debatesh janë ato që i mungojnë politikës sot, por unë dua të them këtë që pa politikën nuk do kishte pasur sot njerëzimi sistem shëndetësor. Pa politikën, nuk do kishte pasur të gjitha gjërat që kanë ndodhur nëpër shoqëri si zhvillim i përbashkët sepse është politika që i bën. Tani politika mund të jetë shumë e keqe, mund të jetë dhe shumë e mirë, varet në çfarë duarsh bie dhe mbi të gjitha edhe brenda politikës, si dhe brenda mjekëve, nuk janë të gjithë njësoj, ka dhe kështu, ka dhe ashtu. Realisht ju falenderoj shumë. Tani dua t’ju them që ambicia ime dhe frymëzimi im pas kësaj ndërhyrje është që në një kohë sa më të shkurtër shqiptarët të mos shkojnë në Turqi për t’u operuar. Ishte realisht një kënaqësi që të theresha prej jush. Këta ishin 5 burrat që më hapën barkun dhe që më dhanë mundësinë e një eksperience realisht shumë pozitive për mua, jo thjesht si pacient sepse nuk dua absolutisht të bëj këtu njeriun që ka kaluar një operacion të vështirë, operacioni ka qenë i thjeshte edhe pse apendiciti nuk ka qenë i thjesht edhe mbetet i shëmtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA