Në studion e skulptorit Alem Toska: Në sheshe të ketë skulptura nudo si në botë

25/04/2023 12:29

Alem Toska u rrit në Mallakastër, i rrethuar nga arti. Babai i tij ishte ngacmimi i parë për të  zgjedhur profesionin në të ardhmen, kur e shihte se si në mënyrë autodidakte realizonte skulptura, Alemi vazhdoi në gjurmët e tij.

“Ndikoi shumë kjo pjesë, kur shihja babin që punonte me aq shumë përkushtim, sikur më hipte dashuria. Është një profesion që po ta duash, ka të ardhme”, thotë skulptori.

Alemi pasi ka përfunduar Universitetin e Arteve, hapi studion e tij të vogël. Sot pas tre vitesh ka zgjeruar hapësirën ku krijon e ku kalon pjesën më të mirë të kohës. Fillimet nuk kanë qenë të lehta, por sot ai beson se guximi dhe përkushtimi e kanë cuar përpara, duke shtuar kërkesat për skulpturat.

“Zakonisht punoj me bizneset të cilët I duan për sipërmarrjet e tyre në ambjentet e jashte, por gjithashtu edhe me patriotët të cilët duan përkrenare apo figura historike”.

I profilizuar për skulpturë monumentale, Alemi është I lidhur me krijimet e tij historike si dhe me veprat që rrëfejnë të shkuarën…

“Ky djali me llastik më bën nostalgjik për fëmijërinë time. Si dhe përkrenarja është një realizim korrekt në madhësinë e reales, të cilën e ka nisur në fillim profesori im Arben Bajo, ai ndërroi jetë dhe e përfunduam unë me kolegun tim. Mori një vit kohë, sepse e kemi realizuar në detaje” .

I riu shqiptar e shikon të ardhmen krijuese në vendin e tij, e teksa shpreh mërzinë për moshatarët e që zgjedhin të emigrojnë, Alemi ëndërron që të lërë shenjë në sheshet e Shqipërisë me skulpturat e tij. Ndaj mendon që politikat shtetërore duhet të jenë më mbështetëse dhe kreative për artistët.

“Do dëshiroja shumë të shihja kompozimet e mia në ambjentet publike. Si dhe të kishte në sheshe skulptura nudo, si kudo në botë. Nuk është e turpshme, është artistike!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA