Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Grupit Parlamentar dhe njëherësh Drejtuesi politik i PS për qarkun e Fierit Taulant Balla kanë vijuar fushatën e mbjelljes së pemëve edhe në Bashkinë Patos.
Balla është shprehur se çdo qytetar sot duhet të shohë nga e ardhmja e ta lërë pas të shkuarën plot halle e probleme.
Balla ka theksuar në fjalën e tij se Patosi i ka provuar edhe Saliun edhe Ilirin,të cilët janë në këtë garë jo për të fituar Patosin, por për të bërë vota e për t’i thënë Amerikës që janë dhe ata këtu dhe kur të negocioni me Shqipërinë, na merrni edhe ne në konsidetarë.
“Në zgjedhjet e 14 maj, thirrja ime për secilin prej jush është që të vazhdojmë përpara, mbrapa ju e dini. Patosi i ka provuar edhe Saliun edhe Ilirin, dy shushunja të cilët thjesht dhe vetëm janë në këtë garë jo për të fituar Patosin, as për të fituar ndonjë bashki, por i’u duhet një grumbull votash në Patos për t’i thënë Amerikës që ja, jemi dhe ne këtu dhe kur të negocioni me Shqipërinë, na merrni edhe ne në konsidetarë. Një non grata i madh dhe tjetrin e ka bërë non grata Patosi sa herë ka dalë të garojë, Ilir Metën, Ilir floririn. Prandaj thirrja ime është, të votojmë Fatjonin, të votojmë Edi Ramën dhe të dy së bashku, Fatjoni dhe Edi Rama të punojnë për Patosin”.
Gjithashtu Balla ka theksuar faktin që për herë të parë është ndërmarrë një prej reformave më të rëndësishme siç është ajo e rritjes së pagave dhe pensioneve.
“Unë jam shumë krenar që vijmë sot në Patos, teksa qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një prej reformave më të rëndësishme e cila do t’i garantojë çdo djali e çdo vajze të Patosit që ka dëshirë që të jetë infermier, mësues, punonjës i policisë apo i forcave të armatosura. Bëhet fjalë për vendimin historik për të ngritur pagat e të gjithë profesionistëve. Vendimi për të rritur pagën minimale është një vendim i vështirë, por që do të na mundësojë që ne të kemi dhe të vazhdojmë të kemi punonjës në këto njësi. Dhe e vërteta është që e gjithë kjo politikë që rrit pagat në sektorin publik, që flasim dhe diskutojmë me biznesin për të vazhduar për të rritur pagat në sektorin privat ka në fund të fundit një synim dhe synimi ynë është që çdo i ri, çdo banor i Patosit dhe gjithë Shqipërisë ta ndërtojë të ardhmen e vet këtu.
Përsa i përket pensioneve, e vërteta është që falë kësaj qeverie ne kemi arritur që vetëm gjatë këtij viti të kemi disa mbështetje të drejtpërdrejta, në janar dhe tani në korrik do bëjmë përsëri. E kemi në prill, do vazhdojmë edhe në fund të vitit sikurse e kemi bërë çdo vit. Por rritja e pagave do të na garantojë që në fondin e sigurimeve shëndetësore dhe atyre shoqërore ne të kemi më shumë para për të rritur pensionet dhe për t’u kujdesur më shumë për shëndetin e atyre që janë zemra jonë, mosha e tretë. Dhe unë dua t’i garantoj të gjithë pensionistët e Patosit e të gjithë Shqipërisë, sepse Partia Socialiste është ajo forcë politike që kujdeset për të gjithë, por natyrshëm një fokus të veçantë për pensionistët”.
Top Channel