Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, sërish ka zënë në gojë Kosovën gjatë diskutimeve për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Mirëpo i njëjti ka marrë përgjigje nga ambasadori i Shqipërisë në këtë institucion, Ferit Hoxha, që i ka thënë zyrtarit rus se Kosova i është bërë obsesion.

Gjatë fjalës së tij në OKB, Lavrov tha ndër të tjera se institucionet në Prishtinë, duke nënkuptuar për autoritetet e Republikës, nuk mund të përfaqësojnë interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë, njëjtë si Kievi nuk mund të përfaqësojë rusët në Donbas e Krime.

“Prishtina nuk mund të pretendojë se përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës të cilëve iu premtua autonomia nga Bashkimi Evropian, ashtu si Berlini dhe Parisi premtuan status të veçantë për Donbasin, rezultatet e këtyre premtimeve janë të njohura, këtë e deklaroi me elokuencë Sekretari ynë i Përgjithshëm gjatë samitit të dytë për demokracinë më 29 mars”, deklaroi Lavrov.

Mirëpo, ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, u shpreh se Rusia nuk mund të përmend Kosovën, shtet që njihet më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, për të justifikuar veprimet e tyre.

Sipas Hoxhës, drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe kjo çështje është e mbyllur.

“Në veçanti, është bërë një obsesion rus t’i referohet Republikës së Kosovës, një vend i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, për të justifikuar veprimet e saj të paligjshme në Gjeorgji në vitin 2008, në Ukrainë që nga viti 2014, gjë që siç e dimë të gjithë po vazhdon deri në këto momente. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, e njëjta GJND ka kërkuar që Rusia të ndalojë luftën e saj, prandaj nuk ka asgjë që tingëllon më e zbrazët sesa përpjekja e dëshpëruar për të justifikuar të pajustifikueshmen, dhe përpjekja e saj për t’u fshehur pas të papranueshmes”, deklaroi Hoxha.

Hoxha shtoi se Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj, të tërheqë trupat nga Ukraina dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

“Siç e dimë, ‘dielli nuk mund të fshihet me gisht’ dhe sot edhe një herë, nuk dëgjuam asgjë për çështjen kyçe sipas cilit nen të Kartës së OKB-së Rusia ka sulmuar fqinjin e saj dhe ka aneksuar me forcë pjesë të territorit të saj. Nëse duam ta mbajmë OKB-në si gurthemeli të botës shumëpalëshe, duhet të tregojmë respekt për njëri-tjetrin, jo përbuzje, duhet të tregojmë solidaritet, jo kërcënime, duhet të zgjedhim diplomacinë dhe të nxisim dialogun, jo të bëjmë luftë, ne duhet të punojmë së bashku, t’u përmbahemi angazhimeve tona dhe kemi nevojë për drejtësi përmes përgjegjësisë për krimet e kryera, dhe që autorët të mbahen përgjegjës”, deklaroi Hoxha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA