Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi sot në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ky vendim pozitiv vjen pas një pune të gjatë intensive, koordinimi të brendshëm ndër-institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët e tjerë.

Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sipas MPJD-së, do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës.

Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim.

“Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse të gjitha shteteve që kanë votuar dhe ndihmuar në votimin pozitiv të Komitetit të Ministrave. Përkundër faktit që proceduralisht Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit, duhet theksuar se kjo ishte ‘finale para finales’ meqë kemi kaluar sfida të rëndësishme ligjore dhe politike. Sigurisht, se mbetet shumë punë për t’u bërë deri në anëtarësim. Kosova mbetet e përkushtuar thellësisht në respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlerave të përbashkëta mbi të cilat është themeluar Këshilli i Evropës dhe Republika e Kosovës”, sipas ministrisë.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj.

Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për t’u bërë”.

Kujtojmë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e  Evropës më 12 maj të vitit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA