Dy vjet e katër muaj pas vaksinimit të parë në Greqi kundër koronavirusit, Agjencia Kombëtare e Barnave në vend ka publikuar të dhënat për vdekjet dhe efektet anësore nga të gjitha vaksinat e përdorura.
Në një raport prej 27 faqesh thuhet se deri tani në Greqi janë kryer prej 27 dhjetorit të vitit 2020 , 22,120,416 doza të vaksinave të kompanive të ndryshme farmaceutike.
Gjithsej janë regjistruar 63 vdekje dhe 1633 efekte anësore. Më në detaje, 49 vdekje lidhen me përdorimin e vaksinës Pfizer nga e cila u vaksinuan shumica dërrmuese e grekëve, 6 vdekje lidhen me vaksinën e Moderna-s, 3 me vaksinën AstraZeneca e përdorur vetëm në vitin 2021 dhe 5 vdekje me vaksinën Johnson & Johnson.
Nga gjithsej 63 vdekje, 38 kanë ndodhur në vitin 2021, 21 kanë ndodhur në vitin 2022 dhe për 4 nuk disponohet informacioni përkatës.
Sa u përket reaksioneve të mundshme negative të dorëzuara në Agjencinë Kombëtare Greke të Barnave , janë regjistruar 1344 efekte të rënda anësore, pas vaksinimit kundër COVID-19, dhe 289 të thjeshta.
Për sa i përket dozave të vaksinave kundër koronavirusit që janë administruar dhe kryer në vitin 2022 në Greqi janë: 4,050,772 të kompanisë Pfizer 278,123 të Moderna-s, 118,128 Johnson & Johnson, 9,094 Novavax.
Përveç kompanisë Nuvaxovid të gjitha vaksinat e mësipërme, të cilat janë administruar ose administrohen ende në Greqi, kanë marrë një autorizim të rregullt nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Top Channel