Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se votimi i sotëm në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për të avancuar aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës drejt Asamblesë Parlamentare, nuk është vetëm ditë e mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por edhe moment i rëndësishëm për të gjithë Evropën.

Osmani në një deklaratë për media, tha se ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time për aleatët tanë ndërkombëtar, presidencën islandeze të Këshillit të Evropës dhe për të gjitha shtetet që na mbështetën me votën e tyre. Pres që shqyrtimi i aplikacionit tonë nga Asambleja Parlamentare të fillojë sa më parë dhe të përmbyllet me sukses. Ne jemi të përkushtuar për t’i përmbushur standardet më të larta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kemi besim se aplikimi ynë do të vlerësohet në bazë të të arriturave tona në këto fusha. Aspiratat tona euroatlantike janë të qarta dhe vendosmëria e popullit të Kosovës është më e fortë se kurrë. Viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, ndaj anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është dëshmi e mëtejme e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave që përfaqëson ky institucion”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, hapat e ardhshëm janë një mundësi për Evropën për ta shfaqur angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo vend, në të gjithë kontinentin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA