Mbi 68 mijë fermerë ia janë përgjigjur thirrjes së Skemës Kombëtare, nëse e krahasojmë me 2022 kësaj herë gjithsej kanë aplikuar 5 mijë fermerë më tepër.

Masa që ka marrë më tepër aplikime ka qenë ajo e naftës. Për fermerët shqiptarë nafta pa taksa ndikon në uljen e kostove të prodhimit bujqësorë. Ndërsa sektori i dytë në renditje që ka kërkuar më tepër mbështetje ka qenë blegtoria. Ndryshe nga vitet e kaluara, do të mbështeten të gjithë blegtorët dhe bletarët, pavarësisht numrit të aplikimit.

“Kërkesat më të mëdha vijnë për masën e mbështetjes me naftë, ku gjithsej janë 4 mijë aplikime. E ndjekur kjo nga masat e mbështetjes për blegtorinë qoftë për gjedhin dhe të imtën, të cilat këto të dyja bashkë bëjnë gjithsej 8.500 aplikime. Bletaria ka marrë gjithashtu shumë vëmendje, me 4000 aplikime, serat vazhdojnë te jenë të preferuara rreth 900 aplikime”, thotë Enio Civici, zv/ministër Bujqësie.

Kësaj here pagesat ndaj fermerëve do të bëhen shumë shpejt. Lista e fituesve do të shpallet në faqen zyrtare të AZHBR, me njëherë sapo punonjësit e agropikave të bëjnë verifikimin e fermave në terren. Dhe kjo punë  nuk do të marrë më shumë se 15 ditë pune.

“Mund tju them që koha më e afërt e mundshme me te cilën mund te fillojë disbursimi është fillimi i muajit maj, pra një periudhë 2-3 javore që nga ky moment”, shpjegon Civici.

Në fund të pranverës, Ministria e Bujqësisë pritet të hapë thirrjet për programin IPARD III.

Top Channel