Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.
Ai nuk saktësoi se çfarë masash mund të ndërmerren.
Të dielën e 23 prillit, në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç – u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.
Pjesëmarrja në proces ishte e ulët – pak më shumë se 3 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kjo, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë t’i bojkotojnë ato.
Në garë ishin dhjetë kandidatë – prej tyre vetëm një e komunitetit serb.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zubin Potok dhe Zveçan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Radoiçiç tha se beson se “të gjithë e kanë kuptuar mesazhin që dha populli serb nga veriu i Kosovës”, i cili e bojkotoi në masë të madhe procesin zgjedhor.
Radoiçiq tha se i falënderon bashkatdhetarët e tij nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku për “patriotizmin, dinjitetin, nderin dhe unitetin e dëshmuar”.
“Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksandar Vuçiç ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”, tha Radoiçiç.
Beogradi zyrtar, i cili mbështet Listën Serbe, ka bërë po ashtu thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve.
Serbia dhe serbët në Kosovë kërkojnë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – për të cilin Prishtina dhe Beogradi kanë rënë dakord dhjetë vjet më parë – përpara se të marrin pjesë në ndonjë votim.
BE-ja dhe SHBA-ja kanë thënë javën e kaluar se janë të zhgënjyera me faktin që serbët kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Komunat në veri janë pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur zyrtarët serbë të kësaj zone kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet, për shkak të një plani të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat jolegale serbe me ato të Kosovës./REL
Top Channel