Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) deklaroi se zgjedhjet në veri po karakterizohen nga atmosfera e qetë, për shkak të mungesës së votuesve.

Sipas tij, kjo tregon mangësitë që ka ky proces zgjedhor dhe pamundësisë së institucioneve për të garantuar proces gjithëpërfshirës. Ai për KosovaPress mohon se ka Njësi Speciale që po garantojnë mbarëvajtjen e këtij procesi në katër komunat veriore.

Eugen Cakolli tha se deri më tani numri i votuesve mbetet një-shifror.

“Nga ajo që ne si Demokraci n’Veprim kemi parë deri më tash, zgjedhjet në veri janë duke u karakterizuar nga një atmosferë relativisht e qetë që vie si rezultat i mungesës së votuesve, në veçanti atyre nga radhët e komunitetit serb, përkatësisht daljes krejtësisht minimale dhe simbolike. Pra, po flasim për numra një-shifror, e madje në qendra të ndryshme të votimit edhe asnjë votues serb, të cilët nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës, të paktën deri në këtë kohë”, theksoi ai.

Kjo, sipas Cakollit, tregon mangësitë e këtij procesi zgjedhor dhe pamundësisë së institucioneve për të garantuar proces gjithëpërfshirës.

“Kjo tregon edhe një herë për mangësitë që ka procesi zgjedhor si dhe pamundësisë së institucioneve tona për të garantuar një proces, i cili do të ishte gjithëpërfshirës, përkatësisht kur do të ofrohej mundësitë në kuptim të situatës së sigurisë që të marrin pjesë edhe votuesit nga radhët e komunitetit serb, të cilët për shkak të presioneve, mungesës së interesimit, por edhe mungesës së kandidatëve nga radhët e komunitetit serb, të cilën kanë vendosur që të mos marrin fare pjesë në procesin e votimit”, deklaroi Cakolli për KosovaPress.

Nga monitorimet në qendrat e votimit, Cakolli tha se nuk kanë parë parregullsi.

“Nga ajo çfarë mund të evidentojmë, të paktën në qendrat alternative të votimit, të cilët janë pak më të ndjeshme për shkak të lokacioneve të tyre, nuk është se ka ndonjë parregullsi, për shkak të mungesës së votuesve. Edhe po të kishte të tilla, janë të natyrës teknike, mungesës së energjisë elektrike si dhe fakti që policia po duhet të ruajë në vazhdimësi këto qendra nga frika e ndonjë incidenti që pastaj do të mund të kompromentonte edhe vetë integritetin e procesit zgjedhor”, u shpreh ai.

Cakolli tha se në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zveçanit vërehet në afërsi të qendrave të votimit një prezencë e shtuar e njësive të KFOR-it dhe forcave të EULEX-it.

“Nuk qëndrojnë deklarimet dhe aludimet që janë njësitë speciale ato që janë duke garantuar mbarëvajtjen, për shkak se në afërsi të të gjitha qendrave të votimit është vërejtur kryesisht prani e forcave të rregullta të policisë që është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, përfundoi ai.

Në katër komunat veriore të drejtë vote kanë mbi 45 mijë qytetarë. Deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 1092 qytetar në katër komunat në veri të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA