Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, tha se pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt.
“Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat… Përsëritje nuk do të ketë”, tha Daka për Radio Evropa e Lirë.
Korrespondentët në terren raportojnë për numër të vogël votuesish në komunat veriore me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ku po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Me këtë mosdalje në zgjedhje, serbët janë duke e përcjellë një mesazh te Qeveria e Kosovës, se ata nuk do t’i pranojnë kryetarët, të cilët dalin nga këto zgjedhje”, thotë Daka.
Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ftoi më herët qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe në këtë mënyrë t’i zgjedhin, siç tha, përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike.
Në veri janë rreth 45.000 qytetarë me të drejtë vote për të zgjedhur kryetarët e rinj në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, së bashku me kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.
Top Channel