Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi në favor të përdorimit të pilulës së përdorur për abort deri në përfundimin e një procesi gjyqësor mbi këtë çështje.
Në këtë mënyrë, ajo mbështetur kërkesat e administratës Biden dhe prodhuesit të medikamentit mifepriston, për të mos lejuar zbatimin e një vendimi të një gjykate më të ulët, që synonte ndalimin e kësaj pilule në të gjithë vendin.
Ilaçi është miratuar për përdorim në SHBA që nga viti 2000 dhe atë e kanë përdorur më shumë se 5 milionë gra. Mifepristoni përdoret i kombinuar me një ilaç të dytë, misoprostolin, në më shumë se gjysmën e të gjitha aborteve që kryen në SHBA.
Me këtë vendim gjasat janë që qasja tek mifepristoni të jetë e garantuar të paktën deri vitin e ardhshëm, teksa vazhdon beteja në gjykatën e apelit, përfshirë dhe shanset që shkojë në fund në Gjykatën e Lartë.
Presidenti Joe Biden vlerësoi vendimin e Gjykatës së Lartë që ruan qasjen tek pilula ndërsa beteja gjyqësore vazhdon.
“Rreziqet nuk kanë qenë ndonjëherë më të larta për gratë në të gjithë Amerikën. Unë do të vazhdoj betejën ndaj sulmeve të motivuara politikisht ndaj shëndetit të grave. Populli amerikan duhet të vazhdojë të përdorë votën si zë të tij, e të zgjedhë një Kongres që do të miratojë një ligj që rivendos mbrojtjen që garantonte Roe kundër Wade”, tha Biden.
Sfida ligjore kundër mifepristonit, ngritur nga kundërshtarët e abortit, është polemika e parë mbi abortin, që arrin në gjykatën më të lartë të vendit, që kur shumica e saj konservatore hodhi poshtë 10 muaj më parë, vendimin historik Roe kundër Wade, duke lejuar më shumë se 12 shtete ta ndalojnë abortin.
Top Channel