Me mbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët në Kosovë nisën kremtimin e Fiter Bajramit me ceremoninë kryesore të mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Myftiu Naim Tërnava përcolli urimet e tij për festën, ndërsa mesazhin e përgatitur për këtë rast e shndërroi dhe në një thirrje për unitet.

“Në këtë mëngjes të bukur jemi mbledhur në xhamitë tona për të festuar Fitër Bajramin, festë që bartë harenë, gëzimin në zemrat e besimtarit. Ramazanin po e përcjellim me krenari e me familje tona po e përcjellim Fitër Bajramin. Fitër Bajrami është festa më popullore që presin gjithë grupmoshat”, është shprehur Tërrnava.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e vizitoi së bashku me kabinetin e tij qeverisës Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e kësaj feste. Urimet e tij, Kurti i shoqëroi dhe me apelin që që solidariteti të mos jetë i kufizuar vetëm për muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Sot në ditën e Fitër Bajramin bashkë me kolegë nga Qeveria erdhëm që t’ia urojmë këtë festë të madhe që vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit dhe me të cilën besimtarët kanë treguar përkushtim dhe sakrificë. Ne urojmë që përkushtimi për anën shpirtërore gjatë jetës dhe solidariteti farefisnor të mos jetë i kufizuar vetëm gjatë këtij muaji por gjatë tërë jetës”, tha Kurti.

Në urimin e saj, edhe presidentja Vjosa Osmani tha se shpreson që kjo festë të shërbejë për t’u afruar me njëri tjetrin. Urimet e tyre për Fitër Bajram, i përcollën edhe krerët opozitare. Një mesazh i veçantë në këtë ditë të shënuar për besimtarët myslimanë edhe nga Shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili zgjodhi ta bënte në shqip urimin e tij.

“Në vijim të muajit të agjërimit, vetëreflektimit, ndarjes dhe sakrificës, dua t’ju uroj të gjithë anëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë festën e Bajramit. Me fat Bajrami”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Pas një muaji abstenimi nga ushqimi dhe uji, myslimanët në të gjithë botën e kremtojnë fundin e Ramazanit me një festë. Fitër Bajrami është kremtimi që shënon fundin e agjërimit, dhe koha kur familjarë e miq bashkohen të festojnë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Zakonisht Fitër Bajrami zgjat për tre ditë, por në varësi të kulturave dhe vendeve të ndryshme ai mund të kthehet dhe në një festë një mujore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA